Liderët urojnë Myftiun Tërnava

Liderë politikë kanë vizituar sot Bashkësinë Islame të Kosovës për t'i bërë takimet tradicionale me drejtues të këtij komuniteti për nder të festës së Bajramit.

Lajme

15/10/2013 12:41

Drejtues të institucioneve  dhe partive politike, kandidatë për kryetar të komunës së Prishtinës dhe klerikë fetarë kanë uruar gjithë shqiptarët kudo që janë për Festën e Kurban Bajramit. Myftiu Naim Tërrnava në zyrat e Bashkësisë Islame të Kosovës ka prit shumë liderë partish nga subjektet të ndryshme, kryeministrin , kryeparlamentarin , komandantin e FSK, drejtues të kishës katolike e tjerë për ndër të festës së sakrificës dhe solidaritetit.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë me këtë rast se kjo festë është festë e solidaritetit dhe sakrificës.

“Edhe njëherë dëshiroj që zotin Tërnava, nëpërmes tij, t`i uroj gjithë besimtarët, festën e Kurban Bajramit, festën e sakrificës, tolerancës, mirëkuptimit, respektit, ju uroj gjithë qytetarëve të Kosovës, gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë, me urimet më të mira, për ata personalisht dhe për familjet e tyre”, ka thënë Thaçi.

Kreu i Kishës Katolik Imzot Dodë Gjergji ka urua gjithë besimtarët mysliman për Kurban Bajramin duke u shprehur i bindur se Zotit më shumë i pëlqen dashuria ndërvëllazërore, ndërshqiptarë, sesa mishi i dashit.

“Jam këtu që të uroj Bashkësinë Islame, zotin Tërnava për festën e Kurban Bajramit që është festë e sakricifës. Kjo është një festë, që bartë në vete qëllime të përbashkëta, sepse sakrifica është pasuri e të gjitha feve, që sakrifica e gjithë besimtarëve mysliman të jetë një sakricifë nga zemra e njeriut”, ka thënë ai.

Duke uruar në emër të Kuvendit të Kosovës, kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se kjo festë simbolizon paqen dhe unitetin.

“Ishim sot në Bashkësinë Islame të Kosovës te myftiu Naim Tërnava , që në emër të Kuvendit, dhe në emër tim t`ju shpreh urimet më të përzemërta, për festën e Bajramit të Vogël, festë të unitetit e paqes, festë e mirëqenies dhe në këtë rrafsh, uroj gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, fat, shëndet dhe lumturi në familje”, ka thënë Krasniqi.

Ferid Agani nga Partia e Drejtësisë ka uruar edhe haxhilerët që gjenden aktualisht në Mekë.

Ai tha se një urim i veçantë është edhe për mijëra haxhilerë nga Kosova dhe nga trojet shqiptare, ambasador të Kosovës të Kongresit Botërorë në Meke.

Kryetari i AKR’së Behgjet Pacolli është lutur që mirëqenia sociale e qytetarëve të Kosovës të jetë më e madhe dhe më e mirë në festat e ardhshme.

Kandidati i PDK për Prishtinën Agim Çeku ka rrëfyer se festa e Kurban Bajramit shënon flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit te Zoti, në emër të dashurisë, për njeriun.

Toleranca dhe sakrifica, sipas Ramush Haradinajt kryetarit të AAK `së gjithmonë ka qenë traditë e kombit shqiptar.

Ai ka thënë se kjo festë duhet të shfrytëzohet që njerëzit të ndihmojnë njëri tjetrin në kohët më të vështira.

Po ashtu, edhe zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë vizituar myftiun Tërnava për t’i uruar atij dhe gjithë besimtarëve mysliman festën e Kurban Bajramit.

Në emër të të gjithë pjesëtarëve të FSK’së, komandanti i kësaj Force Kadri Kastrati ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës ka dëshmuar dhe do të dëshmojë në të ardhmen, çdo herë se FSK është për gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për t`ja mundësuar dhe lehtësuar problemet që i kanë dhe për t`ia bërë jetën më të mirë atyre.

Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje ka porositur që njerëzit të ndihmohen gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm për festa si kjo e Kurban Bajramit.

E kandidati i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka shpresuar që në ditën e ardhshme do të rritet mirëqenia, zhvillimi ekonomik për qytetarët e Kosovës.

Në emër të Presidentes së Kosovës qytetarët i ka uruar këshilltari e tij, Ramush Tahiri, në mungesë të presidentes e cila po qëndron në Angli për vizitë zyrtare. (Kosovapress)