Liderët e Kosovës të ndarë rreth pezullimit të taksës

Liderët e Kosovës ende vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme rreth pezullimit të taksës.

Lajme

14/02/2019 16:09

Autoritetet e Kosovës kanë miratuar parimet bazë të platformës për bisedimet me Serbinë, por nuk kanë dhënë një vizion të qartë se si do të veprohet me masën mbi taksën doganore ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, pa pezullimin e të cilës, Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë që dialogu nuk mund të vazhdojë.

Platforma për bisedime, e hartuar nga Ekipi negociator dhe e prezantuar edhe para presidentit, kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, do t’i dorëzohet për miratim Kuvendit të Kosovës.

Por, pavarësisht miratimit ose jo të këtij dokumenti, mbetet e paqartë çështja e vazhdimit të dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shkak të tarifës doganore 100 për qind që Kosova e ka vendosur ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kossnet, gjatë një takimi të zhvilluar ditë më parë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kanë propozuar që Kosova të pezullojë taksën, siç kanë kërkuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, në mënyrë që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel të vazhdojë.

Ishte përfolur si mundësi, që bashkë me platformën të përfshihet edhe një aneks, sipas të cilit, Qeveria do të pezullonte përkohësisht taksën për t’i dhënë shans dialogut.

Megjithatë, këtë mundësi e ka kundërshtuar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili vazhdon t’i mbetet besnik taksës, pavarësisht thirrjeve nga Uashingtoni dhe Brukseli.

Haradinaj tha të enjten se pas konsultimeve me Ekipin negociator në dialogun me Serbinë, është rënë dakord që platforma e dialogut të kalojë në Kuvendin e Kosovës.

Këto deklarata, Haradinaj i bëri pas takimit që zhvilloi me Ekipin negociator, ku tha se morën pjesë edhe krerët shtetërorë.

“Përfundimisht kemi një dakordim për platformën e Kosovës në dialog”, theksoi Haradinaj.

Kryeministri Ramush Haradinaj vazhdon të këmbëngulë se taksa do të hiqet vetëm kur Serbia ta njohë shtetin e Kosovës. Ai tha të enjten se nuk ka biseduar me askënd për temën e taksës pavarësisht kërkesave nga faktori ndërkombëtar, e në veçanti amerikanët.

I pyetur nga gazetarët për deklaratat e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se me mospezullimin e taksës, Kosova po i dëmton raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Haradinaj tha se “askush nuk është zëdhënës i SHBA-së”.

“Amerika flet vetë, as presidenti, as unë, as askush nuk është zëdhënës i Amerikës. Nuk kanë nevojë që dikush të flasë për ta, ata flasin vetë, dinë të flasin, i shpjegojnë gjërat”, u shpreh Haradinaj.

Analisti politik, Imer Mushkolaj, konsideron se rruga më e mirë për pezullimin e taksës, është arritja e një marrëveshjeje ndërmjet liderëve politikë. Sipas tij, taksa të cilën e ka vendosur Kosova, nuk ka të bëjë asgjë me dialogun dhe as që duhet të kushtëzohet dialogu me këtë çështje.

Mushkolaj thotë, po ashtu, se Prishtina zyrtare duhet ta marrë në konsideratë dhe me seriozitet kërkesën e SHBA-së.

“Nëse Qeveria dëshiron ta pezullojë ose heqë taksën, atëherë e ka këtë mundësi, pasi që koalicioni qeveritar, përjashto AAK-në, e ka shumicën në qeveri dhe fare lehtë mund ta thërras në bazë të procedurave një mbledhje të qeverisë dhe të votojë pezullimin ose jo të taksës. Por, po duket se kjo nuk po i konvenon praktikisht as PDK-së e as partnerëve të tjerë të koalicionit për shkak se të gjitha ‘shigjetat’ i kanë drejtuar kundër kryeministrit Haradinaj. Haradinaj nuk e ka vendosur taksën. Taksën e ka vendosur Qeveria e Kosovës dhe është ajo që duhet ta heqë”, vlerëson Mushkolaj.

Ai konsideron se taksa nuk ka lidhje me dialogun, por sipas tij, ajo është kthyer në problem politik për shkak të këmbënguljes së presidentit Thaçi që me çdo kusht të shkohet tutje në dialog dhe eventualisht të arrihet pajtim për idetë e tij për ndryshim të kufirit.

“Taksa tashmë po shërben si një lloj kartë për përplasje politike ose për përfitime politike, sidomos ndërmjet presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj, sepse me vendosjen e taksës, Haradinaj e ka bllokuar Thaçi që të shkojë tutje në dialog. Ndërkohë Thaçi tashmë hapur po kërkon të pezullohet për shkak se kështu po kërkojnë miqtë ndërkombëtarë dhe dialogu duhet të vazhdojë”, thekson Mushkolaj.

Para pak ditësh përfaqësuesit e lartë të Kosovës kanë pranuar edhe një letër nga zyrtarë të lartë amerikanë, të cilët kanë shprehur zhgënjimin e tyre lidhur me mospezullimin e taksës doganore, ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Në letër thuhet se “është e pabesueshme” që Kosova po injoron këshillën e Shteteve të Bashkuara për pezullimin e taksës doganore.