Liderët botërorë mblidhen sot në ndihmë të Libanit

Vetëm 5 ditë pas shpërthimit të tmerrshëm në Bejrut që i mori jetën të paktën 158 personave dhe plagosi mbi 5 mijë të tjerë, këtë të diele do të zhvillohet një samit për t’i ardhur në ndihmë vendit.

Bota

09/08/2020 09:15

Takimi do të zhvillohet përmes videos online dhe do të fillojë në orën 14:00 me orën lokale.

Zyrtarët e Libanit shprehen se dëmi që shkaktoi shpërthimi kap afërsisht shifrën e 15 miliardë dollarëve.

Gjithashtu në takim do të jetë dhe Presidenti amerikan Donald Trump. Këtë video-konferencë donatorësh e thërriti Presidenti i Francës, Emmanuel Macron gjatë vizitës së tij në Liban ditën e enjte (6 gusht).

Gjatë ditës së djeshme, Libani është përfshirë nga protesta masive ku qindra qytetarë dolën nëpër rrugë dhe u përplasën me policinë.

Kryeministri i vendit Hassan Diab deklaroi në një intervistë televizive se është i gatshëm për të shkuar në zgjedhje të parakohshme duke e parë si një mënyrë për të nxjerrë Libanin nga kriza.

Edhe përpara shpërthimit të tmerrshëm, Libani po vuante ende pasojat nga koronavirusi./Ora News