Libri i jetës së Paskal Milos

Libri për politikën e jashtme shqiptare mbështete në arkivin diplomatik të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, arkivin qendror shtetëror, arkivat diplomatike greke, jugosllave, austro-hungareze, kodet diplomatike britanike, amerikane, italiane, franceze, etj.

Lajme

15/11/2013 14:09

Historiani dhe ish-Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Paskal Milo, promovoi libri “Politika e Jashtme e Shqipërisë”.

Libri përmbledh një histori me burime arkivore të punëve të jashtme të Shqipërisë nga viti 1912 deri në vitin 1939.

Për realizimin e veprës, Milo ka shfrytëzuar burime të ndryshme nga arkivat greke, jugosllave dhe shtetet tjera. Ai ka thënë se në të ardhmen do ta shkruajë edhe një vëllim e dytë të librit.

Profesoresha Pranvera Dibra, recensente e librit, e ka konsideruar veprën me përmasa enciklopedike.

“Një libër që për nga sasia e informacionit që përmban është në përmasat e një enciklopedie të zhvillimeve të diplomacisë shqiptare që nga pavarësimi i territoreve shqiptare dhe krijimi i shtetit modern shqiptar në 1912, e deri në përfshirjen në skemat e Luftës së Dytë Botërore, në vitet 1939”.

Moment tjetër i rëndësishëm i librit është edhe evoluimi i qëndrimit amerikan ndaj Shqipërisë.

“Themeli i suksesit të këtij botimi është mbështetja në një masë të jashtëzakonshme në burimet arkivore diplomatike shqiptare dhe ato të huaja. Produkt i një pune të gjatë dhe të palodhur të hulumtimit shkencor në arkivin diplomatik të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, arkivin qendror shtetëror, arkivat diplomatike greke, jugosllave, austro-hungareze, kodet diplomatike britanike, amerikane, italiane, franceze”.

Prorektori i Universitetit të Prishtinës, Nuri Bexheti, e konsideron librin e Milos si një vepër me shtrirje të gjerë për opinionin.

“Studimi paraqet një interes për opinionin shkencor e publik, e sidomos për brezin e ri shqiptar”.

Autori i librit, Paskal Milo, e ka quajtur librin – “Libër të Jetës” së tij. Ai e ka shpalosur pjesën e librit për Kosovën.

“Për çështjen e Kosovës, libri është nga faqja e parë tek e fundit”.

“Kosova ka qenë vatra e madhe që çoi në ngritjen e flamurit”.

“Të shkruarit e një libri me pretendime shkencore është sakrificë, sepse do të duhet të marrësh shumë e shumë ditë dhe net nga jeta për t’iu kushtuar librave”.

“Unë e kam quajtur – ‘Libri i jetës sime’”.