Liberland, “shteti” më i ri në Ballkan në shtatë kilometra katrorë

Në tokën e askujt ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë "është shpallur" shteti më i vogël “i pavarur, sovran” në Ballkan, me sipërfaqe prej 7 kilometrash katrorë.

Lajme

15/04/2015 23:33

Ky është shteti i quajtur “Liberland”, në të cilin “kryetari” i saj, çeku Vit Jedliqka fton të gjithë njerëzit të cilët respektojnë parimin “jeto dhe lëri të tjerët të jetojnë”, por që nuk janë ekstremistë.

“Liberland” shtrihet buzë lumit Danub, në Vojvodinë.

Jedliqka pohon se “shteti” është krijuar plotësisht sipas së drejtës ndërkombëtare, pasi këtë tokë të askujt, gjatë kohës së demarkacionit nuk e kanë kërkuar as Kroacia as Serbia.

“Qëllim i themeluesit të shtetit të ri është krijimi i një shoqërie në të cilën mund të prosperojnë njerëzit e ndershëm, kurse shteti nuk do t’i “lodhë” ata me ndalesa të panevojshme dhe me tatime. Një nga arsyet e krijimit të Liberlandit është ndikimi gjithnjë e më i madh i grupeve të interesit në funksionimin e shteteve dhe kushtet gjithnjë e më të këqija për jetesën e njerëzve. Themeluesit e tij janë inspiruar nga shtetet Monako, Lihtenshtajn apo Hongkong”, shkruan në ueb faqen zyrtare të shtetit të ri.

Vit Jedliqka, i cili ishte pjesëtar i një partie të vogël të afërt me ish-presidentin çek Vaclav Kllaus, shkruan se shpreson që  “Liberlandin e pavarur dhe sovran” së pari do ta njohin pikërisht Serbia dhe Kroacia, të cilëve po përgatitet t’iu dërgojë nota diplomatike për njohje, ndërsa më vonë këtë do ta bëjë edhe me shtetet tjera të botës.

“Liberland ka flamurin, emblemën, kushtetutën dhe ligjet, dhe tashmë ka filluar të japë “shtetësi”  dhe fton të gjithë të shkojnë aty, por me kusht që të mos jenë komunistë, nazistë apo ekstremistë, ndërsa  nuk janë të dëshiruar as kriminelë të gjykuar për vepra të rënda penale.