Liberland organizon party për 1 maj, ftesë të gjithë presidentëve të botës

Vit Jedliqka, presidenti i vetëproklamuar i shtetit Liberland paralajmëroi sot në Beograd, me rastin e themelimit të shtetit ndërmjet territoreve të Kroacisë dhe Serbisë, organizimin e një party më datën 1 maj.

Lajme

29/04/2015 22:07

Flamuri i shtetit të vetëshpallur Liberland në territorin e askujt ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë

Jedliqka tha se në këtë party janë ftuar të gjithë presidentët e vendeve të botës, në mesin e të cilëve edhe residentët e SHBA-ve dhe Rusisë, si dhe të Kroacisë e Serbisë. Ai tha se kjo ftesë u është bërë presidentëve përmes rrjetit televiziv CNN dhe Russia Today.

Ftesa u është dërguar edhe 7,000 personave, nga gjithsej 300,000 aplikues për shtetësinë e Liberlandit.

Ai ka paralajmëruar gjithashtu se në periudhën e ardhshme do të përpiqet të organizojë edhe zgjedhjet e përgjithshme.

“Pas kësaj do të kemi kushtetutën, e cila realisht kufizon fuqinë e qeverisë, tha Jedliqka.

Ky njeri me shtetësi çeke ka shpallur shtetin e ri në një sipërfaqe prej 7 kilometrash katrorë, në një tokë ishullore të lumit Danub, ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë, duke ftuar të gjithë njerëzit e ndershëm që t’i bashkohen, me moton “jeto dhe lëri të tjerët të jetojnë”.

Jedliqka shtetin e ri ballkanik e shpalli më 13 prill.