Lëvizja Vetëvendosje: Jemi subjekti i parë shqiptar më i votuar në veriun e Mitrovicës

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të cilat u zhvilluan në veri të Mitrovicës, përpos atyre në Podujevë.

Lajme

30/11/2020 08:11

Vetëvendosje ka uruar kandidatin e tyre Erden Atiq, pasi VV është subjekti i parë shqiptar më i votuar në veri të vendit.

Në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje u tha se Erdeni do të vazhdojë përkushtimin e tij duke përfaqësuar të gjithë shqiptarët përfshirë edhe ata që votuan subjektet tjera shqiptare, transmeton lajmi.net.

Postimi i plotë

Urime Mitrovicë!

Lëvizja VETËVENDOSJE! tashmë është subjekti i parë shqiptar më i votuar në veriun e Mitrovicës. Kandidati më i votuar, Erden Atiq, që vjen nga pjesa veriore dhe që kurrë nuk i ka munguar Mitrovicës e përherë është angazhuar për të mirën dhe bashkimin e qytetit mori përkrahjen e shqiptarëve në atë pjesë. Erdeni do ta vazhdojë përkushtimin e tij duke përfaqësuar të gjithë shqiptarët përfshirë edhe ata që votuan subjektet tjera shqiptare. Ai do të jetë zë i Republikës tonë, ashtu sikurse edhe i historisë që njeh si lavdinë punëtore e qytetare në atë pjesë, ashtu edhe krimet e padrejtësitë e ushtruara ndaj shqiptarëve. Erdeni dhe qytetarët e Mitrovicës që e përkrahën atë, qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Mitrovicë, aktivistët e saj, do ta shtojnë zërin dhe peshën e Republikës së Kosovës në atë pjesë dhe nuk do ta ndalin asnjëherë angazhimin e tyre për ta bashkuar qytetin e Mitrovicës. Urojmë qytetarët, përkrahësit, aktivistët dhe Erdenin që na bënë krenarë sot./Lajmi.net/