Lëvizja për Reforma kërkon dorëheqjen e plotë të qeverisë Gruevski

Lëvizja për Reforma në PDSH tha sot se kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, tenton të shpërqendrojë vëmendjen e opinionit me dorëheqjet e funksionarëve që ai vetë i ka urdhëruar.

Lajme

13/05/2015 20:24

Kjo lëvizje thotë se Gruevski po tenton që të pastrojë “krimin” në rastin e Kumanovës.

“Gruevski  tenton të pastrojë krimin në rastin e Kumanovës prandaj  i detyroi të dorëhiqen ministrat Jankullovska dhe Janakieski, si dhe drejtorin e DSK-së Mijallkov, që të shpëtojë nga kriza në të cilën gjendet ai dhe qeveria e tij”, thonë nga kjo lëvizje.

“Me këto dorëheqje  nuk do të mund të mbyllet kapitulli i Kumanovës dhe menaxhimi kriminal i qeverisjes së tij 9 vjeçare, ku përgjegjës kryesor është ai vet dhe qeveria e tij. Me këtë ai dëshiron të blejë kohë, duke rinkonstruktuar qeverinë me të cilin veprim tenton të mbulojë gjurmët. Andaj nuk mjaftojnë dorëheqjet e ministrave, por duhet largim komplet i qeverisë që të dilet nga kriza”, tha Ermal Sejfullai, zëdhënës i Lëvizjes për Reforma në PDSH, transmeton Zhurnal.

Sejfullai këto komente i bëri para gazetarëve dhe kërkoj nga lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev që të mbajë premtimin e dhënë para opinionit për shpalosjen e gjitha rasteve të incizuara, posaçërisht ato ku janë të inkriminuar funksionarë dhe politikanë shqiptarë.