Lëvizja për Bashkim kundër ulëseve të rezervuara

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se bisedimet me Serbinë, me këtë qasje, agjendë dhe ekip, ashtu siç është pritur, nuk kanë sjellë deri te zgjidhja e konfliktit shqiptaro-serb.

Lajme

24/12/2013 16:39

Valon Murati ka thënë se bisedimet me Serbinë më tepër e kanë rritur jofunksionalitetin e shtetit të Kosovës.

“Me këto bisedime pala serbe filloi ta zbatojë Pakon e Ahtisarit, madje me krijimin Bashkësisë së Komunave Serbe u tejkalua ajo dhe si rrjedhim jofunksionalizohet tërësisht shteti i Kosovës. Me këto bisedime, u krijua Bashkësia e Komunave Serbe, u betonua ndarja e qytetit të Mitrovicës si dhe u injorua tërësisht çështja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”.

Murati ka shtuar se sa i përket vazhdimit të vendeve të rezervuara, qëndrimi i LB’së është se për funksionalitetin e Kosovës, sovranitetin dhe vullnetin politik të qytetarëve të saj, problemi më i madh nuk janë vendet e rezervuara apo të garantuara, por është fakti se me këtë Kushtetutë pakicat, duke pasur fuqi të madhe juridike, kanë privilegje bllokuese.