Lëvizja për Bashkim i fajëson partitë më të mëdha për gjendjen aktuale

Lëvizja për Bashkim, përkundër faktit se është kundër Asociacionit të Komunave Serbe dhe mënyrës se si është menaxhuar procesi i demarkacionit me Malin e Zi, e konsideron të papranueshme sjelljen e tri partive opozitare. Madje, konsideron se këto parti i kanë keqpërdorur këto kauza të drejta për qëllime pushteti, thuhet në një kumtesë të LB-së.

Lajme

08/02/2016 18:17

“Lëvizja për Bashkim, zgjedhjet e reja nuk i sheh si zgjidhje për dy arsye. Së pari, për shkak se partitë që po pretendojnë se mund të ofrojnë qeverisje të mirë nuk e kanë dëshmuar këtë në asnjë rast deri më sot, dhe së dyti, për shkak se me një qasje të tillë, zgjedhjet e reja nuk do të prodhojnë asgjë tjetër përveç një ngërçi të ri”, thuhet kumtesën e LB-së.

Sipas kësaj partie, Kosova që nga zgjedhjet e fundit nuk është liruar nga ngërçi politik i cili ka shkaktuar dëme të mëdha si në aspektin e brendshëm politik e ekonomik, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar.

“Krijimi i një ngërçi të ri, të cilin do ta prodhonin zgjedhjet e reja, do të ishte me pasoja shumë të rënda për vendin, gjë që në asnjë mënyrë nuk guxojmë të lejojmë të ndodhë”, konsideron LB-ja.

Lëvizja për Bashkim vlerëson se gjendja aktuale është pasojë e drejtpërdrejtë e sjelljes së papërgjegjshme të katër subjekteve politike në Kosovë PDK, LDK, LVV dhe AAK dhe në lidhje me bisedimet me Serbinë, konsideron se zgjidhjen për problemet aktuale nuk e sjellin zgjedhjet por vullneti i palëve për ta arritur atë.

“Akuzat ndaj njëri-tjetrit janë vetëm tentim për shfajësim të vetes e rrjedhimisht e largojnë zgjidhjen. LB e mbështetë iniciativën e Presidentes së Kosovës për dialog si dhe e vlerëson pjesëmarrjen e përfaqësuesve të SHBA-së dhe BE-së në të, por, megjithatë, beson se situata tejkalohet jo vetëm duke trajtuar çështjet aktuale, por mbi të gjitha duke trajtuar të gjitha problemet që Kosova i bartë që nga shpallja e pavarësisë, e që kanë të bëjnë me jofunksionalitetin e shtetit. Andaj, i ftojmë të gjithë faktorët politik që të ulemi në dialog, t’i trajtojmë çështjet me seriozitetin që kërkon situata dhe të dalim me një platformë të qartë politike për mbrojtjen e interesave kombëtare”, thuhet në kumtesën e Lëvizjes për Bashkim.