Lëvizja FOL fton kryeministrin serb Vuçiq në Prishtinë

Lëvizja FOL e ka ftuar kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuqiq, në forumin “FOL Hapur”.

Lajme

20/04/2015 19:36

Në ftesën që e ka siguruar KTV, FOL i ka thënë Vuçiqit se e fton atë në funksion të zhvillimit të bashkëpunimit rajonal në frymën e integrimit në BE.

“Gjithashtu në funksion të reflektimit të implementimit të marrëveshjes së 19 prillit, Lëvizja FOL ju fton të flisni në Forumin FOL Hapur që e kemi iniciuar intensivisht vitin e kaluar. Kosova dhe Serbia, si dy shtete fqinje, ndërkombëtarisht janë zotuar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe dy shoqërive. Prandaj, besojmë se është kruciale dhe e nevojshme që të ketë bashkëpunim në fusha të ndryshme, jo vetëm në nivelin politik e institucional, siç ka qenë deri tash”, thuhet në ftesën e Lëvizjes FOL, të nënshkruar nga drejtori i saj ekzekutiv, Petrit Zogaj.

Ftesa është bërë për fundin e muajit maj, ndërkohë që përgjigje nuk ka ende.

Por, megjithëse edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë një ftesë nga një OJQ në Beograd, një vizitë e tillë është vështirë e realizueshme, pasi që shteti serb edhe zyrtarisht sot ka bërë me dije se do të arrestojë Thaçin në rast se shkel në territorin e Serbisë.