‘Let’s Do It’ falënderon mijëra vullnetarë që u bashkuan për pastrimin e Kosovës

5 Dhjetori shënon Ditën Botërore të Vullnetarizmit në tërë botën.

Lajme

05/12/2018 15:14

Në këtë Ditë, Let’s Do It Kosova falënderon qindra mijëra vullnetarë, të cilët iu janë bashkuar aktiviteteve të Organizatës ndër vite dhe kanë mundësuar zhvillimin e aktiviteteve që nga viti 2012 e deri më tani.

Të gjithë vullnetarët bashkë kanë kontribuar në kauzën tonë të përbashkët për pastrimin e Kosovës, ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit si dhe aktivizimin e institucioneve karshi përgjegjësive të tyre për mjedisin, thuhet në njoftimin e tyre.

Për herë të parë, falë një angazhimi më të madh vullnetar, problemi i mjedisit në Kosovë u bë prioritet institucional dhe qytetar. Së fundmi, numër i madh i vullnetarëve u janë përgjigjur pozitivisht thirrjeve për pjesëmarrje në aktivitetet që u realizuan në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, e cila ka filluar më 15 shtator, ndërsa do të zgjasë deri më 15 dhjetor, transmeton lajmi.net.

Vullnetarët për Let’s Do It Kosova kanë qenë shtytësi dhe frymëzimi kryesor i aktiviteteve tona. Falë angazhimit të vazhdueshëm të tyre, ne ia kemi dalë bashkërisht që ta ndryshojmë pasqyrën e vendit tonë dhe ta bëjmë Kosovën një vend më të mirë e të pastër për të jetuar.

Përveç falendërimit për vullnetarë, Let’s Do It Kosova kërkon nga institucionet përgjegjëse që puna e vullnetarëve të njihet edhe me ligj, në mënyrë që të krijohet një ambient më i favorshëm për zhvillimin e vullnetarizmit në Kosovë.

Në Ligjin për Vullnetarizmin, vullnetarëve duhet t’u lejohet angazhimi në aksione, të njihet kontributi i tyre, si dhe të përcaktohen të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre.

Po ashtu, është i domosdoshëm bashkëveprimi i aktiviteteve mes institucioneve, shoqërisë civile dhe komunitetit në mënyrë që të vazhdohet me organizimin më të shpeshtë të aktiviteteve, projekteve dhe iniciativave për vullnetarizëm.

Angazhimi i qindra mijëra vullnetarëve për një Kosovë të pastër dëshmon edhe njëherë se si rinia më e re në Evropë – ajo e Kosovës, ka vullnet për të kontribuar në aktivitete në të mirë të vendit, vetëm pse është domosdoshmëri krijimi i një ambienti më të favorshëm për vullnetarizëm.

Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit është vendosur nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara në vitin 1985.

Qëllimi i kësaj dite është të falënderohen vullnetarët për përpjekjet e tyre në komunitet dhe për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për të kontribuar në shoqëri. /Lajmi.net/