Letra e Qeverisë për minatorët po analizohet, vendimi nesër

Drejtori menaxhues i Trepçës, Ahmet Tmava ka thënë se të enjten në mëngjes do të dalin me një qëndrim sa i përket letrës që e kanë pranuar nga Kryeministri.

Lajme

21/01/2015 21:41

(E plotësuar)

Minatorët se bashku me këshillin grevist dhe menaxhmentin e Trepçës janë duke e analizuar letrën të cilën e kanë pranuar nga Kryeministri.

Drejtori menaxhues i Trepçës, Ahmet Tmava ka thënë se të enjten në mëngjes do të dalin me një qëndrim sa i përket letrës që e kanë pranuar nga Kryeministri.

Tmava ka thënë se kryeministri i ka përshkruar afatet kohore se kur do të kryhen detyrat dhe obligimet që i takojnë Qeverisë lidhur me Trepçën.

“Këshilli grevist dhe gjithë minatorët kërkojnë që me gjakftohtësi dhe jo në tension të kohës ta diskutojnë, ta analizojnë deri në mëngjes. Dikur nesër paradite do të dalin me një qëndrim sa i përket shkresës dhe grevës”, ka thënë Tmava, për Kohën Ditore.

_______________________________________________________________________________

Mustafa: Askush s’duhet të brengoset për Trepçën, është pasuri e Kosovës   

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa thotë se është tejkaluar momenti i krizës për Trepçën dhe se pas kompletimit të bordit të AKP-së, kjo çështje do të procedohet. Ai ka shtuar se pasuria e Kosovës është e paprekshme.  

“Konsideroj se askush më nuk duhet të brengoset për Trepçën, e kemi tejkaluar një moment të krizës për Trepçën, mbetet të punojmë në qetësi, t’i kemi pretendimet e borxhlinjve, t’i shqyrtojmë ato dhe të veprojmë”, tha Mustafa.

Kreu i qeverisë po ashtu i cilësoi të ekzagjeruara pretendimet e kreditorëve.

“Së shpejti do ta kompletojmë bordin e AKP-së sepse në këtë periudhë AKP-ja të procedojë me tutje duke verifikuar borxhet që ka Trepça”, tha ai.

E në AKP thonë se pretenduesit më të mëdhenj në Trepçë janë Qeveria dhe punëtorët.

“Nga aplikacionet e përgjithshme të pranuara, kërkesat pretenduese të punëtorëve të ndërmarrjes Trepça dhe të Qeverisë së Kosovës përbëjnë shumën më të madhe të kërkesave të parashtruara në shumën rreth 1 miliard euro”.

Sipas kësaj përgjigje të AKP-së, i bie që borxhet e jashtme mund të arrijnë shumën 400 milionë euro nga ajo që ishte raportuar në medie, raporton rtklive.