Letoni: Fitore e koalicionit qeverisës, frikë nga sulmi rus

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Letoni ka shpallur se koalicioni qeverisë i qendrës së djathtë e ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare në këtë vend.

Bota

05/10/2014 14:15

Koalicioni i kryeministres, Laimdota Straujuma, që përbëhet nga Partia e Unitetit, Unioni i të Gjelbërve dhe Fermerëve dhe Aleanca Kombëtare, i ka fituar afro 58% të votave, u njoftua të dielën pas numërimit të 95% të fletëvotimeve, transmeton REL.

Por, partia që ka marrë më së shumti vota ishte ajo opozitare me emrin Harmonia, me 23% të votave. Mbështetjen më të madhe kjo parti e ka marrë nga pakica ruse në Letoni. Në këtë vend, minoriteti rus përbënë afro 25% të popullatës prej 2 milionë njerëzve.

Qeveria e kryeministres Straujuma ishte njëra nga qeveritë që më së shumti i ka mbështetur sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë, lidhur me konfliktin në Ukrainë.

Drejtori i Muzeut të okupimit në Letoni, Gunars Nagels theksoi se ky vend baltik jeton në frikë të madhe nga sulmi i mundshëm i Rusisë.

Ai përkujtoi se në vitin 1939, trupat ruse kishin okupuar Letoninë dhe kjo gjendje ka vijuar për 5 vjet të ardhshëm.

Pos krahasimit me okupimin e këtij viti të gadishullit Krime të Ukrainës, ai theksoi ngjashmërinë e madhe të aksioneve të Rusisë së Putinit me ato të ish-regjimit nazisty të Hitlerit.

“Kur dëgjoni arsyetimet që i përdor pala ruse për aksionet e saj në Ukrainë, arrini në konkluzionin se kësisoj ka bërë edhe Hitleri, i cili së pari ankohej për statusin e pakicës gjermane në Sudenteland (në Çeki) me shumicë gjermane, për ta pushtuar pastaj atë krahinë dhe për të vazhduar me okupimin e Polonisë”, sqaroi Nagles.