Letërnjoftimet e para biometrike

Nis shpërndarja e letërnjoftimeve të para biometrike. Ministri Bajram Rexhepi thotë se me këto letërnjoftime, Kosova ka përmbushur një kriter për liberalizimin e vizave.

Lajme

09/12/2013 12:52

Nga sot, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të pajisen me letërnjoftime biometrike.

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë shpërndarjen e letërnjoftimet e para me këtë teknologji të avancuar.

Në një ceremoni rasti, Ministri Bajram Rexhepi tha se letërnjoftimet biometrike, së bashku edhe me pasaportat që janë prodhuar kohë më parë, përmbushin një prej kritereve për liberalizimin e vizave.

“Sot është një ditë e rëndësishme, lëshimi i letërnjoftimeve biometrike është në vazhdën e përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave”.

“Këto letërnjoftime janë të një kualiteti shumë të lartë, kanë nivel të lartë të sigurisë, dhe faktikisht nuk mund të falsifikohen”.

“Letërnjoftimet kanë një çip në të cilin është kodi personal për çdo person”.

“Ky letërnjoftim u mundëson qytetarëve të kenë shumë përfitime. E para është që qytetarët, në shtetet që Kosova ka marrëveshje për kalim të kufirit, mund ta kalojnë kufirin vetëm me letërnjoftim”.

Ministri Rexhepi tha se më nuk do të prodhohen letërnjoftime të vjetra, por qytetarët që kanë letërnjoftime gjysmë biometrike do t’i mbajnë ato deri sa ato të kenë validitet.

“Prej sot fillon prodhimi vetëm i letërnjoftimeve biometrike. Më nuk do të prodhohen letërnjoftimet e mëparshme. Ato e kanë validitetin e tyre. Disa e kanë gati 10 vjet”.

“Në faza të mëvonshme, nëse dikush do të udhëtojë me këto dokumente, nuk do të mundet, jo vetëm në rajon, por në të ardhmen edhe me pasaportat biometrike kur të fitojmë liberalizimin e vizave”.

“Afati është për 3 vjet të furnizohen të gjithë qytetarët, por është interes i Kosovës që kjo të kryhet edhe më herët”.

“Ka kapacitete për këtë, edhe kompania, edhe personeli ynë, dhe unë shpresoj se vitin e ardhshëm, deri në 2015 më së largu, të gjithë të furnizohen me letërnjoftime biometrike”.

“Koha për prodhimin e tyre është më e shkurtër. Qytetarët do të mund të njoftohen për përfundimin e letërnjoftimit nëpërmjet sms dhe email”.

Rexhepi theksoi se ky projekt i cili ka kushtuar 7 milionë e 800 mijë euro, pritet që të zgjasë 3 vjet.

“I gjithë projekti ka kushtuar 7 milionë e 800 mijë euro, ku do të prodhohen 1.7 milion letërnjoftime dhe ky projekt do të zgjasë për 3 vjet. Ndërkaq, shuma për një letërnjoftim është 10 euro”.

Ministri Rexhepi u shpreh optimist se Ministria e tij do të përmbushë të gjitha kriteret që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.

“Shumicën e kritereve i kemi kryer, kritere këto që dalin nga udhëzuesi për liberalizimin e vizave që janë diku rreth 100. Unë jam optimist që do i përmbushim të gjitha kriteret që kërkohen”.