Letërnjoftimet biometrike më 9 dhjetor

Nga 9 dhjetori do të prodhohen letërnjoftimet e para biometrike në Kosovë. Ministri Bajram Rexhepi thotë se është pranuar kërkesa e komunitetit turk që letërnjoftimet të shtypen në gjuhën e tyre.

Lajme

29/11/2013 14:08

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka thënë se që nga 9 dhjetori, Kosova do të fillojë prodhimin e letërnjoftimeve biometrike, që është një nga kushtet kryesore në procesin e liberalizimit të vizave

“Mund t`ju informoj se më 9 dhjetor do të filloj prodhimi i letërnjoftimeve biometrike”.

Qeveria e Kosovës i ka dhënë përgjigje pozitive kërkesës së komunitetit turk, për shtypjen e dokumenteve në gjuhën e tyre.

Ministri Rexhepi ka thënë se pjesëtarët e komunitetit turk do të kenë mundësinë të pajisen me dokumente të gjendjes civile si pasaporta dhe letërnjoftime biometrike në gjuhën turke.

“Njëra nga pikat që u diskutuan në mbledhjen e Qeverisë ka qenë kërkesa e mëhershme e komunitetit turk që letërnjoftime biometrike kur të prodhohen për pjesëtarët e komunitetit turk të shkruhen në gjuhën turke ky ka qenë I paraparë edhe me dokumente të tilla”.

“Është edhe një kriter edhe në liberalizimin e vizave që te komuniteti serb nëse ata kërkojnë që t`ju shkruhet në alfabetin cirilik edhe ajo përdoret”.

I pari që ka aplikuar për letërnjoftimin biometrik në gjuhën turke është Ministri I Administratës Publike  Mahir Yagcilar. Ai është shprehur i kënaqur që komuniteti turk mund të pajiset me letërnjoftime në gjuhën e turke.

“Vërtet unë si qytetar i Republikës së Kosovës gjithashtu dhe pjesëtar i komunitetit turk kam aplikuar për letërnjoftim biometrik të cilët tani vetëm e kanë modelin dhe mostrën dhe përveç Gjuhës Shqipe, Serbe, Angleze do të jenë edhe në gjuhën Turke e cila ka qenë një kërkesë e komunitetit turk”.

“Jam i kënaqur dhe i falënderohem dhe më besoni që do të jetë njëri prej vlerësimeve pozitive në aspektin e dokumenteve biometrike por edhe nga aspekti i ligjit për përdorimin e gjuhëve”.