Leonardo optimist për rinovimin e Mbappe dhe Neymar me PSG

Drejtori sportiv i PSG, Leonardo, është shprehur optimist për nënshkrimet e Kylian Mbappe e Neymar JR.

Sport

14/06/2020 11:00

Dje, drejtori sportiv i PSG ka njoftuar për disa vendime të skuadrës, ndër të cilat ato që bënë bujë më së shumti ishin largimi i Thiago Silva dhe Edinson Cavani në fund të këtij sezoni.

Ndër të tjerash, Leonardo ka folur edhe për dy yjet më të mëdhenj të skuadrës, Kylian Mbappe dhe Neymar JR.

Lidhur me kontratat e tyre, drejtori sportiv i PSG është shprehur optimist për rinovimin.

“Asgjë nuk na thotë se ata do të largohen gjatë kësaj vere. Ata akoma kanë dy vite në kontratat e tyre dhe ne po mendojmë se çfarë mund të bëjmë me ta pastaj”, ka thënë Leonardo, transmeton lajmi.net.

“Mbappe është e ardhmja e PSG. Këtë e duan të gjithë. Skenari ideal do të ishte që ai të vazhdojë kontratën. Nuk ka pse të mendojmë më shumë sesa duhet për ta. Ne duhet të shfrytëzojmë avantazhin që kemi ata. Do të gjejmë zgjidhje për të vazhduar së bashku”, ishin fjalët e drejtorit sportiv të PSG.

Neymar kërkohet me ngulm nga skuadra e Barcelonës, por kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia Covid-19 mund ta ‘shpëtojë’ skuadrën e PSG. /Lajmi.net/