Lekaj: Si opozitë s’kemi pasur fuqi ta rrëzojmë këtë pushtet, por në zgjedhje do të marr përgjigjen e dështimeve

Ditë më parë, kryeministri i vendit, Albin Kurti deklaroi se është opozita ajo që po i ikën zgjedhjeve. Madje një deklaratë të tillë, Kurti e dha para përkrahësve të Lëvizjes Vetëvendosej gjatë shënimit të 19 vjetorit të Lëvizjes. Ai tha se opozita po i dështon e po i vonon zgjedhjet, të cilat është shprehur i…

Lajme

23/06/2024 22:25

Ditë më parë, kryeministri i vendit, Albin Kurti deklaroi se është opozita ajo që po i ikën zgjedhjeve.

Madje një deklaratë të tillë, Kurti e dha para përkrahësve të Lëvizjes Vetëvendosej gjatë shënimit të 19 vjetorit të Lëvizjes.

Ai tha se opozita po i dështon e po i vonon zgjedhjet, të cilat është shprehur i bindur se do t’i fitoj.

“Të dashur aktivistë e miq të Lëvizjes, në vitin 2025 do t’i kemi zgjedhjet e ardhshme lokale përveçse do ta kremtojmë 20 vjetorin e Lëvizjes Vetëvendosje, por patjetër do t’i kemi edhe ato parlamentare meqë opozita nuk mund t’i shtyjë pafundësisht. Meqë tash jemi në periudhën e emocioneve futbollistike le ta marrim si shembull një ekip të suksesshëm futbolli, fjala vjen Ballkanin e Suharekës. Le ta fitojë Vetëvendosja në 2025 edhe kampionatin edhe kupën”, tha Kurti gjatë një tubimi me strukturat e partisë në sallën “1 Tetori”.

E për t’u mbajtur zgjedhjet e parakohshme, “pro” janë deklaruar edhe partitë opozitare, vetëm se ato kanë kërkuar dorëheqje nga Kurti, gjë e cila deri më tani nuk shihet se do të ndodhë.
Në lidhje me këtë situatë të krijuar në mes pozitës dhe opozitës, Lajmi.net ka kontaktuar deputetin e AAK-së, Pal Lekaj.

Lekaj theksoi se AAK tash e sa kohë e ka të hapur ofertën për të shkuar në zgjedhje, e që sipas tij nuk është përkrahur nga spektri opozitar.

“AAK tani e sa kohë e ka të hapur ofertën për të shkuar në zgjedhje, e cila nuk është përkrahur nga spektri opozitar. Me këtë lirisht e them që AAK nuk po i ikë zgjedhjeve, ne jemi të gatshëm në çdo kohë kur ato do të bëhen”, tha Lekaj.

Sipas tij, si opozitë nuk kanë pasur fuqi që të rrëzojnë këtë pushtet, por që janë munduar të jenë zë i qytetarëve.

“Ne si Opozitë nuk kemi pasur fuqi që të rrëzojmë këtë pushtet, por që në format tona jemi munduar që të jemi zë i qytetarëve dhe i votuesve tonë. Sondazhet e fundit po e nxjerrin dobët këtë Qeveri, pra po argumentohen deklarimet tona që qytetarët janë shumë të pakënaqur me formën dhe mënyrën e Qeverisjes Kurti në shtetin tonë”,theksoi Lekaj.

Sipas tij, Kjo Qeveri do të dal e para, por me një rënie shumë të madhe gjithandej vendit.

“Krahasuar me zgjedhjet e fundit. Qeveria dështoi në shëndetësi, zhvillim ekonomik, mirëqenie të qytetarëve, politikë të jashtme, në raport me Serbinë e shumë tema të tjera. Dhe me këto dështime , do të marr një feedback në kutinë e votimit kurdo që do të mbahen zgjedhjet”, shtoi ai.

I pyetur nëse ekziston mundësia për një koalicion parazgjedhor me ndonjë prej partive opozitare, apo vetë partinë në pushtet, Lekaj tha se nuk kanë vija të kuqë me asnjë parti.

“Parimisht ne nuk kemi vija të kuqe me asnjë parti. Praktikisht pas zgjedhjeve, nëse nuk na përshtaten programet dhe prioritetet e Qeverisjes së vendit, edhe mund të kemi dallime dhe mos përshtatje në koalicione apo qeverisje të vendit”, tha deputeti Lekaj.

Deputeti nga radhët e AAK-së, shtoi gjithashtu se opozita ka qenë bashkëpunuese mes vete në vazhdimësi, por jo në nivelin e duhur për vendime e tema të mëdha.

“Forma e rrëzimit të Qeverisë Kurti nuk na gjeti shumë të bashkuar, qysh nga atëherë kur ne e paraqitëm opsionin për bashkim të opozitës dhe deputetëve të pushtetit që janë të pakënaqur, e deri së fundi kur u diskutua për një bashkërendim të spektrit politik që me votë të lirë deputetët të votonin për shpërbërjen e Kuvendit”, përfundoi Lekaj.

Ndryshe në lidhje me këtë çështje nga Partia Demokratike e Kosovës po ashtu janë shprehur të gatshëm për zgjedhje të parakohshme.

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti në një deklaratë për lajmi.net ka thënë se Kurti po e shfrytëzon bashkëpunimin e dobët mes opozitës prandaj edhe po luan me ta.

“Kurti nuk është i interesuar të shkojë në zgjedhje për arsye se e ka shumicën në Kuvend dhe po luan me opozitën, po luan me fjalë në kuptimin që unë jam i gatshëm e këta ne të më rrëzojnë. Edhe sikur të bëhej opozita bashkë për të tre partitë që janë në Parlament dhe të deklaronim që jemi dakord që të vetshkarkohemi, përsëri Kurti do të thoshte që ne po futemi në votim në Kuvend dhe ju ndiqni procedurat që duhet t’i ndiqni”, ka thënë Haliti për lajmi.net.

Ai ka thënë se opozita nuk e ka fuqinë që të rrëzoj Qeverinë, pasi që sipas tij kur duan të ndodh kjo duhet të ketë aksion politik i cili sipas Halitit nuk po bëhet.

Se a do t’i fitoj apo jo zgjedhjet Kurti, Haliti ka thënë se kjo nuk duhet të ndodh pasi që sipas tij ka shumë arsye.

Deputeti i PDK-së, ka thënë se që nga ardhja në pushtet e kryeministrit Kurti nuk ka pasur ndonjë sukses që ka ndihmuar qytetarët, por vetëm ka mjegulluar mendjet e tyre.

E ndryshe nga Haliti, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka qenë i shkurtër dhe i prerë në lidhje me deklarimet opozitare sa i përket mbajtjes apo jo të zgjedhjeve të parakohshme.

Zemaj zgjodhi që të flasë pak, edhe atë “si Kurti”.

Ai tha se “nuk spekulon mbi spekulimet”, ashtu siç ditë më parë deklaroi vetë kryeministri Kurti kur u pyet për raportin e BE-së në lidhje me masat ndëshkuese në drejtim të Kosovës.

“Nuk spekuloj mbi spekulimet”, ka thënë Zemaj, derisa e ka quajtur spekulim deklaratën e Kurtit mbi opozitën dhe zgjedhjet.

Derisa partitë opozitare nuk kanë arritur ende të mblidhen bashkë për një çështje të tillë, Kurti vazhdon të deklarohet i bindur në fitore-madje edhe sikur zgjedhjet të mbahen para përfundimisht të mandatit.

Se si do të shkojë ky mandat i mbetur qeveritar dhe se çfarë do të mund të bëhet në kuadër të organizimit të zgjedhjeve të parakohshme, mbetet të shihet në zhvillimet e ditëve të ardhshme pozitë-opozitë./Lajmi.net/