Lekaj: PAN-i i ka siguruar votat për qeverinë

I nominuari për kryeministër nga koalicioni i 12 subjekteve politike, të cilave u prijnë Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe Nisma për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, tashmë ka siguruar numrin e nevojshëm të deputetëve, të cilët do ta votojnë krijimin e qeverisë së re të drejtuar nga ai, thonë përfaqësuesit e koalicionit PAN.

Lajme

16/07/2017 16:04

Pal Lekaj, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Haradinaj nuk iu ka bishtnuar marrëveshjeve me subjektet tjera politike për krijimin e një koalicioni qeverisës, duke iu referuar Lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicionit që i prin Lidhja Demokratike e Kosovës, por, sipas tij, nuk ka arritur marrëveshje me to.

“Deri më tash, fatkeqësisht, ata që çdo herë janë thirrur që janë për të forcuar shtetin, se janë për të mirën e shtetit dhe të qytetarëve, e kanë bojkotuar në njëfarë forme PAN-in. Në këtë drejtim, nuk i ka mbetur tjetër zoti Haradinaj, përveç që marrëveshjeve me deputetë që janë autonom dhe që mendojnë ndryshe dhe për të mirën e vendit. Në bazë të asaj që unë jam i njoftuar nga zoti Haradinaj, numrat janë të sigurt dhe qeveria do të formohet në ditët në vijim”, deklaron Lekaj.

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thekson që nisur nga kundërshtimet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës që t’i bashkëngjiten Haradinajt dhe koalicionit PAN për krijimin e qeverisë së re, e bëjnë të komplikuar procesin e krijimit të një qeverie me një bazë të gjerë të spektrit politik.

“Ai (Haradinaj) po e konfirmon, në përditshmëri, në publik se i ka numrat e mjaftueshëm për krijimin e institucioneve, por është duke tentuar që ta garantojë një formim të qeverisë, me një bazë më të gjerë të spektrit politik, e që normalisht është proces i komplikuar”, thotë Kryeziu.

Në anën tjetër, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, e ka quajtur të mjerë qeverinë “e cila mbetet peng i dy, tre apo katër deputetëve ose peng i 10 deputetëve të Listës Serbe”.

“Ne jemi në gjendje që të bisedojmë me AAK-në, por kur ata të mos jenë në koalicion me PDK-në”, ka thënë Mustafa.

Por, Lekaj ka hedhur poshtë mundësinë që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, lider i së cilës është zoti Haradinaj, të tërhiqet nga koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës.

“Aleanca ka treguar gatishmëri që të komunikojë dhe bashkëpunojë edhe me subjektet tjera, por në asnjë mënyrë nuk do të tërhiqet nga koalicioni parazgjedhor – në këtë rast nga PDK dhe Nisma – për t’iu ofruar dikujt tjetër, sepse atëherë është joserioze dhe ne do të dilnim jashtë kornizave të marrëveshjes. Zoti Haradinaj çmohet në Kosovë për fjalën e mbajtur për premtimet që i jep. Prandaj, në këtë drejtim, as që është diskutuar dhe as që do të diskutohet që ne të largohemi nga PAN-i”, thekson Lekaj.

I nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Haradinaj, ka deklaruar se gjatë javës së ardhshme pritet që të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe se brenda pak ditësh më pas të formohet edhe qeveria e re e Kosovës.