Lekaj: Kurti flet për diasporën vetëm dy javë në verë dhe dimër, kur ata vijnë për pushime
Partitë opozitare vazhdojnë të drejtojnë gishtin drejt Qeverisë Kurti, me pretendimin që mërgatën po e përdor vetëm për poenta politike e interesa elektorale. Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë që kryeministri Kurti flet për diasporën vetëm dy javë në verë dhe dimër kur ata vijnë për pushime, duke shtuar se sipas tij…

Lajme
Partitë opozitare vazhdojnë të drejtojnë gishtin drejt Qeverisë Kurti, me pretendimin që mërgatën po e përdor vetëm për poenta politike e interesa elektorale.
Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë që kryeministri Kurti flet për diasporën vetëm dy javë në verë dhe dimër kur ata vijnë për pushime, duke shtuar se sipas tij është kryeministër qe 5 vite dhe ndryshimi rrënjësorë që u ka premtuar është baraz me zero.
“Kryeministri Kurti e do diasporën vetëm në kohë të zgjedhjeve, ndërsa shkruan dhe flet për ta vetën dy javë në verë dhe dimër kur ata vijnë në pushim për ti mashtruar me ëndrra e llafe të kota. Po harron që është kryeministër që 5 vite dhe që u ka premtuar diasporës ndryshim rrënjësorë, ndërsa faktikisht rezultatet janë baraz me zero“, ka thënë Lekaj.
Ai thotë se qeveria Kurti nuk bëri mirëqenie për qytetarët, as zhvillim ekonomik e as ndonjë përparim në arenën ndërkombëtare.
Tutje, Lekaj u shpreh se është e pritshme që të gjitha sondazhet e nxjerrin LVV-në që ka rënie në votë përderisa pritjet e premtimet ishin të mëdha.
“Lëvizja Vetëvendosje ka rënie të madhe në votë dhe përkrahje nga populli. Premtimet dhe pritjet ishin shumë të mëdha, ndërsa nuk u bë asgjë, prandaj është e pritshme që të gjitha sondazhet e nxjerrin që ka rënie në votë të VV-së, në krahasim me zgjedhjet e fundit nacionale“, përfundoi Lekaj.
Mandati aktual i qeverisë shkon deri në fillimin e vitit të ardhshëm, dhe megjithëse debatin për zgjedhje të parakohshme opozita ka kohë që e ka nisur, derisa ende nuk duket të ketë diçka konkrete./Lajmi.net/