Legjislacioni nuk njeh proces që quhet grumbullim i votave
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Adnan Merovci, thotë se është bërë përpjekje të dezinformohet opinioni, kur është thënë se “në Kosovë do të bëhet vetëm grumbullimi i votave”, dhe se “në Kosovë nuk do të organizohen zgjedhjet parlamentare të Serbisë”.

Lajme
“Vokabulari në legjislacionin zgjedhor në Kosovë nuk njeh proces që quhet grumbullim i votave, njeh aktivitet në kuadër të procesit që quhet grumbullim i votave. Prandaj, këtu po bëhet dezinformimi”.
Në një intervistë dhënë për “Programin e Mëngjesit” në RTK, Merovci ka thënë se është e drejtë kushtetuese e çdo personi që ka dyshtetësi që të votoj për shtetin e tij.
“Fillimisht opinioni ta dijë se e drejta për të votuar është e drejtë supreme dhe i takon çdo individi. Dhe në këtë rast, nëse serbët që jetojnë në Kosovë kanë të drejtë në shtetësi të dyfishtë, atëherë kjo është e drejtë e patjetërsueshme dhe duhet t’ua njohim”.
“E dyta, është çështja që në Kosovë çka po ndodh me këto zgjedhje, si Kosovë, si shtet , si kushtetutshmëri. Dhe e fundit është se si po reagojnë institucionet tona, eksponentët e tyre, liderët shtetëror”.
“Ajo çka po më shqetëson është mënyra e gjetjes së një kapitali politik karshi popullit tonë. Shteti jonë duhet të sillet si zot shtëpie, se në këtë vend është një kërkesë për tu organizuar zgjedhje”.
“Çështja e kushtetutshmërisë duhet të zbatohet në forma të tjera, dhe ka elemente të tjera. Më me rëndësi është çështja e komunikimit të institucioneve relevante, pastaj duhet lënë hapësirë edhe për individët nga shoqëria civile, qytetarët dhe opozita që të japin kritika”.
Duke folur për konsitutimin e komunave veriore dhe miratim e statuteve komunale, Merovci thotë se statutet duhet të jenë në përputhshmëri me ligjet e Kosovës.
“Në këtë rast unë shpreh një breng, dhe dua të vetëdijësoj institucionet që në këtë rast gjithçka të jetë në përputhshmëri me ligjin”, tha Merovci.