Legaliteti i kontestuar

Pas këtyre zgjedhjeve, po shihet që përbërjes së ardhshme të Kuvendit, do t’i takojnë disa detyra të rëndësishme, të cilat duhet ta heqin qafe kontestimin e anës legale në shtetin e Kosovës.

Opinion

12/06/2014 14:01

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë, siç u pa edhe me këto të fundit, të 8 qershorit, po nxjerrin në sipërfaqe telashet ligjore dhe kushtetuese, të cilat shfaqin mungesën e stabilitetit të legalitetit në një shtet, e cila gjë, thënë fare troç, është e padurueshme.

Janë dy parë probleme të mëdha me të cilat vazhdueshëm po përballet shteti i Kosovës, hiq ato të rëndomtat për çdo shoqëri demokratike, e të cilat flasin për ekonominë, temat sociale apo mirëqenien, arsimin, shëndetësinë, etj.etj.

Këto dy parë probleme nuk ekzistojnë (po e përsërisim: nuk ekzistojnë), në një shtet demokratik.

I pari ka të bëjë me legjitimitetin e qeverisë dhe të institucioneve qendrore të shtetit, i dyti, me legalitetin si të tillë.

Përqendrimi i gjithë opinionit kosovar dhe atij ndërkombëtar, për shkaqe të njohura që përkojnë me zgjedhjet shumë të këqija të dhjetorit të vitit 2010, është te ky segmenti i legjitimitetit, apo te përkthimi autentik i vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës në Kuvendin dhe në Qeverinë e Kosovës, që janë në përputhje me këtë vullnet, apo që janë refleksion i këtij vullneti.

Kësaj radhe, në këto zgjedhjet e parakohshme parlamentare, zgjedhjet ishin të lira dhe të rregullta, së paku sa i përket votës së qytetarëve për subjektet politike.

Askush nuk po e vw nw mëdyshje rezultatin e këtyre zgjedhjeve, megjithëse duhet akoma punë deri në certifikimin e rezultatit të tyre.

Duket pra që jemi në rrugë të mirë për ta adresuar si duhet sprovën e legjitimitetit, e cila, midis tjerash, dëfton që demokracia në Kosovë nuk ka lëshuar ende rrënjë.

Por kjo sprova e dytë, e legalitetit, jo që nuk po trajtohet si duhet, por sa herë po mbahen zgjedhjet në Kosovë, vetëm po rritet, duke lëkundur, kështu, themelet e një shteti, sepse dimensioni i legalitetit njëmend i bënë ato themele.

Pas zgjedhjeve të shkuara parlamentare (2010), të cilat e bënë politikën kosovare me faqe të zezë, dhe pas zhvillimeve të njohura gjatë Konstituimit të instancave qendrore të vendit  (shkurt, 2011), kinse u nxorën disa mësime.

U vendos së pari që të bëhet reforma a sistemit zgjedhor, apo, të ndryshohet thelbësisht Ligji për zgjedhjet e përgjithshme.

U vendos që të amandamentohet Kushtetuta e Kosovës, dhe atë, në dy segmente kyçe: Në atë të qartësimit të mandatit të Presidentit të Kosovës (disa prej kompetencave të tij janë pothuaj identike me ato të Kryeministrit), dhe në atë të adaptimit të modelit të zgjedhjes së drejtpërdrejtë të Presidentit, me votë popullore pra, e jo përmes Kuvendit të Kosovës.

Për më shumë, interpretimi që Gjykata Kushtetuese ia ka bërë procesit të zgjedhjes së Behxhet Pacollit President të Kosovës, ka si konsekuencë amandamentimin e domosdoshëm të Kushtetutës së Kosovës, edhe sa i përket procedurës së zgjedhjes së tij, nëse ai tutje do të jetë mandat i Kuvendit të Kosovës.

Çka ndodhi në ndërkohë, apo në tri vitet e kaluara?

Reforma zgjedhore ka dështuar plotësisht. Amandamentimi i Kushtetutës ka mbetur në gjysmë. U hoq dorë nga zgjedhja direkte e Presidentit të Kosovës, ndërsa askush nuk u mor me qartësimin e procedurës së zgjedhjes së Presidentit në Kuvendin e Kosovës.

Pas zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit, po shihet, përditë e më shumë, që përbërjes së ardhshme të Kuvendit të Kosovës, do t’i takojnë disa detyra tepër të rëndësishme, të cilat për një kohë të gjatë duhet ta heqin qafe kontestimin e anës legale në shtetit të Kosovës.

Ta zëmë, tash po kuptohet që është i domosdoshëm interpretimi/shpjegimi, nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i Nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës që definon procedurën e mandatimit të Kryeministrit të Qeverisë së Kosovës dhe të krijimit të Qeverisë së Kosovës.

Qysh tash ka përplasje të mëdha politike rreth këtij Neni, duke u përpjekur të qartësohet ‘ç’ka ka dashtë me thënë autori’ në këtë Nen, dhe çka ai nënkupton, në fakt.

Duke marrë si pretekst këtë rast, por edhe duke mos i harruar ato të tjerat, që kanë mbetur nga mandati i Kuvendit të kaluar (të cilat u përmendën pak më parë), dhe në vijim të interpretimit që do ta ofrojë Gjykata Kushtetuese, është absolutisht e domosdoshme që të qartësohen, deri në trajtën e defincioneve eksplicite, të gjitha Nenet e Kushtetutës që në të ardhmen mund të jenë burim i tensioneve të këtilla politike.

Sa për Reformën zgjedhore, ajo tash është e pashmangshme, kur dihet se çfarë manipulimesh janë bërë ‘brenda llojit’, në Listat e kandidatëve për deputetë të partive.

Modeli më i mirë do të ishte ai që do ta mundësonte ndarjen e Kosovës në 100 zona zgjedhore, ku në secilën prej tyre do të zgjidhej një deputet.

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)