Le të na votëbesojnë

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi shprehet i hapur rreth mundësisë që opozita të kërkojë votëbesim ndaj Qeverisë, pas dështimit të seancës për PTK’në. Thotë se është e drejtë e tyre. Por, beson se Qeveria e ka legjitimitetin demokratik për të vazhduar punën.

Lajme

20/09/2013 12:55

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, është shprehur sot i hapur rreth mundësisë që opozita të kërkojë një votëbesim ndaj Qeverisë, pas shtyrjes së votimit për privatizimit të PTK’së në mungesë kuorumi në Kuvend.

Por, në të kundërtën e asaj që kanë thënë përfaqësues të opozitës të enjten, Kuçi deklaron se Qeveria e ka legjitimitetin demokratik.

Këto komente, Zëvendëskryeministri Kuçi i ka bërë pas takimit me Komandantin e KFOR’it, Gjeneralin Salvatore Farina, sot në Prishtinë.

Ai nuk ka pranuar të flasë për mundësinë e dështimit të privatizimit të PTK’së, duke thënë se tani kur kjo çështje është në dorë të Kuvendit, çdo deklaratë e tij “do të keqkuptohej si ndërhyrje në punët e Kuvendit”.

“Është e drejtë e opozitës që të kërkojë votëbesim dhe çdo procedurë tjetër demokratike’’.

“Mendoj se deputetët e Kuvendit e kanë të drejtën e tyre që të marrin pjesë  ose jo në seancë. Është çështje e ndarë tërësisht nga punët e Qeverisë. Ajo që duhet të them është se Qeveria e ndien veten me legjitimitet demokratik. Çdo punë që e bënë Kuvendi i Kosovës ne e respektojmë”.

“Njerëzit nganjëherë për arsye objektive e subjektive nuk mund të marrin pjesë në Kuvend, por besoj se kjo me kohë do të zgjidhet. Nuk është problem që Qeveria duhet ta marrë këtë shumë afër zemre. Është problem që shkon në rrjedhë normale të Kuvendit dhe Kuvendi tani duhet ta luajë rolin e vet, shefat e Grupeve Parlamentare dhe Kryesia e Kuvendit”.

Video: lajmi.net