Le Monde: Ofensiva e Kameronit për të ndryshuar Bashkimin Evropian

Gjatë vizitave së tij në Berlin, Paris, Varshavë dhe Amsterdam, kryeministri britanik u prit me kujdes dhe me ndonjë sinjal për lëshime. Por negociatat mbi reformën e traktateve, nuk do të jenë aspak të lehta

Bota

06/06/2015 21:34

Pas fitores në zgjedhje, vjen testi i Evropës. Javën e kaluar, kryeministri britanik Dejvid Kameron ka provuar një shije të asaj, sesa e vështirë do të jetë për të biseduar me 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian në muajt e ardhshëm. Negociatat për të përfituar një marrëveshje më të mirë, për qëndrimin e Londrës në Bashkimin Evropian – element që duhet ta lejojë të ndërmarrë një fushatë, për të qëndruar në Europë në kuadër të referendumit së premtuar britanikëve në vitin 2017 – do të jenë veçanërisht të gjata dhe të vështira.

Raundi i parë i bisedimeve, u përurua nga Kameron të enjten e 28 Majit me takimet që zhvilloi me kryeministrin holandez Mark Rute dhe presidentin francez Fransua Holond. Një ditë më pas vijoi me takimet me kryeministrin polak Eëa Kopacz dhe kancelaren gjermane Angela Merkel. Dhe nuk pati surpriza të mëdha.

Dhjetë vite më pare, Franca dhe Holanda tronditën Bashkimin Evropian, me refuzimin e projektit- kushtetutës përmes referendumeve. Sikurse edhe pritej, udhëheqësit e të dy vendeve i kanë ritheksuar kryeministrit britanik, se nuk kanë ndërmend që t’i futen ndryshimit të traktateve, çka do të kërkonte një miratim të ri popullor. Por gjithësesi, ata ende u shfaqën të gatshëm për të diskutuar mbi këtë çështje.

Ewa Kopacz, që në vjeshtë do të duhet të përballet me zgjedhje të vështira parlamentare, e bëri të qartë se Varshava nuk do të tolerojë në një pikë:gatishmërinë e Kameron, për të ndaluar të ashtuquajturit turistë të mirëqenies –qytetarë të vendeve të BE-së që lëvizin drejt Mbretërisë së Bashkuar për të përfituar nga sistemi i mirëqenies aty– që nuk duhet të çojë në forma të diskriminimit kundër punëtorëve polakë, që kanë emigruar në masë pikërisht në Britani.

Më pajtuese ishte Angela Merkel. Kancelarja gjermane, dëshiron të nisë negociatat “në një mënyrë konstruktive”, dhe është e vendosur për të “gjetur një zgjidhje”. Ashtu si udhëheqësit e tjerë, Merkel ritheksoi se shpreson që Britania e Madhe do të mbetet në Bashkimin Evropian. Por, me një hapje që ka një vlerë kryesisht simbolike, ajo nuk e përjashtoi mundësinë e ndryshimit të traktateve, një çështje që është shumë e dashur për Kameron. “Nëse ne jemi me të vërtetë të bindur mbi një ide, s’mund të themi se ndryshimi i traktateve është i pamundur”-theksoi Merkel.

Rreziku Brexit

Deri këtu janë parimet e mëdha dhe deklaratat e qëllimeve. Përveç kësaj, në fazat e hershme të negociatave, liderët e shteteve të Bashkimit mund të vendosen çfarë t’u ofrojnë mediave dhe zgjedhësve, përmes deklaratave të përgjithshme (të përmbledhura në konceptin “nëse duam, ne mund të”), apo premtimeve të vakëta mbi pafundësinë e kreativitetit inxhinierik të institucioneve evropiane.

Por do të mbërrijë shumë shpejt momenti, kur kjo çështje do të trajtohet konkretisht. Dhe duke gjykuar nga përvoja e Greqisë me kryeministrin Aleksis Cipras, të angazhuar qëkurse mori detyrën në janar të këtij viti, në disa negociata rraskapitëse me udhëheqësit evropianë, optimizmi fillestar mund të ftohet shpejt nga realiteti që ofrojnë faktet.

Sigurisht, Greqia dhe Mbretëria e Bashkuar, shtrojnë para Evropës probleme shumë të ndryshme. Por kërcënimi i një Brexit (dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Unioni) ravijëzohet në horizont, ndërsa hipoteza e Grexit, (dalja e Greqisë nga eurozona), ende nuk është e mënjanuar.

Kjo e bën shumë të ngushtë, hapësirën e manovrimit të Kameron dhe bashkëbiseduesve të tij evropianë.

Të shohësh hapje të mëdha tek tonet pajtuese të Merkelit, mund të jetë diçka e  gabuar. Si Holond, ashtu edhe kancelarja gjermane ka përcaktuar disa kufij. E bëri këtë në mënyrë më të matur sesa kryeministri polak Kopacz, por vija e kuqe që përcaktoi, është edhe më vështirë për t’u kaluar:në qoftë se ideja e ndërtimit të një hapësirë të matur të Mbretërisë së Bashkuar brenda BE mund të jetë e pranueshme, askush megjithatë s’duhet të vënë në pikëpyetje arritjet themelore apo natyrën e Bashkimit Evropian. Kameron, i takon detyra për t’i shitur këto lëshime zgjedhësve të tij.