LDK’së i shkon mendja te koalicioni me Limajn

Ismet Beqiri thotë se Qeveria aktuale e Kosovës nuk do të mund ta kalojë gjysmën e këtij viti. Sipas tij, nuk përjashtohet një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, por nuk jep ndonjë datë kur do të mund të bëhet ky mocion. Ai nuk e përjashton kolaicionin LDK-Limaj.

Lajme

11/02/2014 16:23

LDK dëshiron që zgjedhjet e ardhme parlamentare në Kosovë të mbahen sa më shpejt, e bindur se Qeveria aktuale nuk do të mund t’i mbijetojë pranverës.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Ismet Beqiri, duke folur në Emisionin InfoMagazinë të Klan Kosovës, thotë se moti nuk ka parë mbledhje më të mirë se ajo e djeshmja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së, në të cilën Isa Mustafa mori besimin për të garuar për Kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Ishte vullnet i Këshillit dhe i degëve që Isa Mustafa të propozohet për Kryeministër”.

“Për ne, zgjedhjet e përgjithshme janë nesër. Ne asnjëherë nuk e kemi ndalur aktivitetin për t’u përgatitur për këto zgjedhje”.

“Ne jemi liderë të opozitës. Edhe me numra, edhe me kualitet. Këtu nuk ka asnjë dilemë”.

“Realisht Qeveria është e rrëzuar. Po funksionon për faqe të zezë. Nuk përjashtohet mocioni i mosbesimit”.

“Nuk e besoj që kjo Qeveri e kalon gjysmën e këtij viti. Mocionin do ta bëjmë atëherë kur ta kemi të sigurt” , ka thënë Beqiri në një intervistë për InfoMagazinë të Klan Kosova.

Në projeksionet e LDK’së për koalicionin e ardhshëm, sipas Beqirit, nuk figuron PDK.

Por, LDK duket më fleksibile kur është fjala për subjektin politik të cilin e ka paralajmëruar Fatmir Limaj pas ndarjes nga PDK.

“PDK jo që është e fundit, por nuk figuron në hartë fare. Nuk është punë inati, por nuk mundh të bësh koalicion me një parti që i bën dëm Kosovës”.

“Patjetër mund të ketë grupime të tjera, parti të reja. Mund të jetë edhe z. Limaj, nuk i dihet.”

“Nuk e di sa i përket komuniteteve. Ne synojmë me partnerët e mundshëm tanë, 61 vota pa komunitetin serb dhe nuk është e pamundur që të bëhet kjo gjë”.

“Mund të gjenden forma të reja, parti të reja për mandatin e ardhshëm”.

Duke folur për letrën e Kryetarit të AAK’së, Ramush Haradinaj, për Presidenten Atifete Jahjaga, ku i kërkon asaj shpalljen e zgjedhjeve parlamentare, Beqiri i LDK’së ka thënë se nuk i komenton letrat e liderëve.

“Unë së pari nuk e komentoj letrën e liderëve”.

“Është shumë e qartë që një ditë nëse mbahen para dhjetorit zgjedhjet do të jenë të jashtëzakonshme ose të parakohshme”.

“Por, Presidentja i shpall zgjedhjet kur shpërbëhet Kuvendi. Ne nuk do të shkruajmë letra, por do t’i bëjmë punët që kjo të ndodhë”.