LDK vs Vetëvendosje, sërish

Lidhja Demokratike e Kosovës po vazhdon përplasjen verbale me Lëvizjen Vetëvendosje. Komunikatë pas komunikate, çdo ditë. Në këtë të fundit, LDK thotë se VV po dezinformon.

Lajme

13/10/2013 17:00

Lidhja Demokratike e Kosovës po vazhdon përplasjen verbale me Lëvizjen Vetëvendosje.

Një reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje ndaj komunikatës së djeshme të Shtabit Zgjedhor të LDK’së ishte shkas për reagimin e sotëm të LDK’së.

“Vetëvendosje tenton që sërish t’i dezinformojë qytetarët, duke plasuar një varg të pavërtetash dhe mashtrimesh”.

“Një qasje e tillë është plotësisht jokorrekte dhe dëshmon mungesë argumentesh të VV-së për t’i bindur qytetarët për mbështetjen që nuk po arrin ta fitojë”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës i bën thirrje VV’së që të heqë dorë nga shpifjet e tilla, për të cilat ngarkohen edhe me përgjegjësi ligjore”.

“Kryetari Mustafa nuk i mban tetë vende të punës, siç dezinformon kjo Lëvizje vazhdimisht. Siç mund të konfirmohet në Deklarimin e Pasurisë në AKK, Kryetari Mustafa ka: pozitën e Kryetarit të Komunës, si dhe merr honorar për orët e mbajtura në Universitetin e Prishtinës. Po ashtu, honorari si anëtar i ASHAK’së nuk konsiderohet vend pune sipas ligjeve të aplikueshme në Republikën e Kosovës. Prandaj, dezinformatat VV’së lidhur me pasurinë e zyrtarëve publikë janë të dënueshme sipas ligjit dhe në kundërshtim me deklarimet zyrtare të Agjencisë Kundër Korrupsion”.

LDK rithekson se projektet të cilat VV’ja pretendon se i ka prezantuar, janë kopje e dobët e projekteve që janë paraqitur në Planin Strategjik 2009-2016 të Komunës së Prishtinës dhe shumica prej këtyre projekteve tashmë janë realizuar ose janë në realizim e sipër nga ana e Komunës.