LDK: Shpend Ahmeti po e çon në anarki Komunën e Prishtinës

LDK thotë se Komuna e Prishtinës çdo ditë e më shumë po reflekton joseriozitet, papërgjegjshmëri dhe po shkon drejt anarkisë. Halim Halimi nga LDK akuzoi Vetëvendosjen se ka futur aktivistët e saj brenda në komunë dhe se ata po keqpërdorin dokumentet komunale.

Lajme

10/02/2014 13:48

Grupi i Këshilltarëve të LDK’së në Kuvendin Komunal të Prishtinës në një konferencë shtypi ka thënë se kërkon largimin e aktivistëve të Vetëvendosjes nga zyrat e Komunës si dhe normalizimin e menjëhershëm të situatës me shkollat e Prishtinës.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Halim Halimi, deklaroi se Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, e ka mbushur Komunën me aktivistë të Vetëvendosjes.

“Bazuar në informacionet që kemi, z. Ahmeti që nga java e parë e janarit 2014, me një grup personash – aktivistë ‘Vetëvendosje’, po keqpërdorin dokumentet komunale. Në të gjitha drejtoritë komunale, ata pa asnjë autorizim ligjor kanë konfiskuar dokumentet zyrtare, të cilat po i trajtojnë sipas qëllimeve të tyre, në interes të Shpend Ahmetit dhe ‘Vetëvendosjes’”.

“Ne dyshojmë se dokumentet zyrtare të Komunës së Prishtinës po trajtohen jashtëligjshëm. LDK’ja është e shqetësuar për këtë dukuri joligjore dhe shpreh indinjatë të thellë për veprime të tilla, që mund të pasojnë me shmangie, zhdukje dhe futje të dokumenteve të paqena, si edhe falsifikime”.

“LDK’ja ka siguruar emrat e disa prej tyre. Në drejtorinë e financave janë angazhuar Blendi Hasaj dhe Edi Muhaxheri. Në drejtorinë e inspekcionit janë angazhuar Salih Zyba, Arbër Hamiti, Enkela Gjata dhe Zana Gojani. Edhe në drejtoritë e tjera ka persona të pautorizuar që kanë qasje në dokumentacion”.

LDK thotë se Komuna e Prishtinës, e drejtuar nga Shpend Ahmeti, çdo ditë e më shumë po reflekton joseriozitet, papërgjegjshmëri dhe po shkon drejt anarkisë.

“Se Ahmeti nuk i respekton ligjet e Republikës së Kosovës, dëshmohet edhe me rastin e dhënies së urdhrit për mbylljen e shkollave të Prishtinës, edhe pse ai nuk ka kompetencë për ta bërë një gjë të tillë bazuar në ligjin për arsim parauniversitar në Republikën e Kosovës (neni 8, pika 6.1., kundërt të tjera thuhet “Ministria mund ta ndërpresë punën e institucioneve arsimore të cilat nuk janë të licencuara apo veprojnë në ambiente të pasigurta dhe të pashëndetshme”)”.

“Çështja e ndërprerjes së mësimit në shkolla është e paraparë edhe me ligjin për inspekcionin e arsimit në Kosovë, ku kompetencat për ndërprejrjen e mësimit i ka inspekcioni arsimor që është në kuadër të MASHT-it. Ky ligj shprehimisht parasheh se inspektorët e arsimit mund të ndalojnë punën e institucioneve arsimore, të cilat nuk kanë siguruar kushte normale për organizimin e mësimit (siç është dezinfektimin e objektit, pastërtinë, ujin, nyjet sanitare, ngrohjen normale dhe mjetet e domosdoshme mësimore)”.

Halim Halimi tha se LDK kërkon nga Komuna e Prishtinës që të respektojë ligjet dhe institucionet e vendit.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, po ashtu, kërkon nga MASHT-i që të ushtrojë kompetencat që ka dhe të mos i kontibuojë më tej anarkisë që ka përfshirë Komunën e Prishtinës me rastin e vendimit joligjor dhe të motivuar politikisht të Kryetarit të Komunës për mbylljen e shkollave”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës i fton qytetarët e Prishtinës që të reflektojnë me qetësi përballë kësaj situate”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon që të hetohet nga organet përkatëse vendimi për mbylljen e shkollave dhe moslejimi për t’i hapur ato”.

“Ne po shqyrtojmë të thërrasim seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës së Prishtinës për shkeljet ligjore që po i bënë në vazhdimësi udhëheqja e Komunës së Prishtinës”.