LDK premton shfuqizim të rezolutës 1244

Isa Mustafa thotë se në një mandat të tij qeverisës, do të shfuqizojë rezolutën 1244. Ai vlerësoi se niveli i korrupsionit në vend është i madh, dhe, sipas tij, ai nuk mund të luftohet nga ata që kanë dosje në NATO. 

Lajme

27/05/2014 16:38

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka premtuar se në një mandat të tij, do të shfuqizojë rezolutën 1244 të OKB-së, për të lënë mundësi njohjeve tjera.

Në një tryezë të organizuar nga LDK, kreu i kësaj partie tha se “Krimin e korrupsionin nuk mund ta luftojnë ata për të cilët NATO, në dosjet e tyre, sipas gazetës ‘Koha Ditore’, kishte konstatuar se ishin organizatorë të krimit të organizuar”, duke aluduar në disa anëtarë të partisë në pushtet.

Mustafa tha se me LDK-në në qeverisje, do të çrrënjoset krimi i organizuar dhe korrupsioni në vend.

“LDK, në programin qeverisës ka objektiva të qarta për forcimin e shtetit, sigurimin e pavarësisë së pushteteve dhe ndërtimin e institucioneve të pavarura dhe të pandikuara nga politika.

“Ne jemi të bindur se me reformat që do të ndërmarrim, do të arrijmë që brenda vitit të parë të mandatit tonë të parë do të përmbushim kriteret për liberalizimin e vizave, brenda mandatit të parë do ta nënshkruajmë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian si dhe do të jemi pjesë e Partneritetit për Paqe, ndërsa Forcat tona të armatosura do të jenë pjesë e misioneve paqeruajtëse të NATO-s”.

Ndërsa sa i përket dialogun me Serbinë, Mustafa ka thënë se qeverisja me udhëheqjen e tij, do ta kornizojë atë në kohë, duke vendosur edhe parimet prijëse për ruajtjen e karakterit unitar, një zone të vetme doganore, legjislative, gjyqësore e kushtetuese.

Mustafa ka theksuar se qeverisja e LDK-së, prioritet do t’i kushtojë bashkëpunimit me Shqipërinë, përmes një politike të koordinuar për interesat e shqiptarëve në rajon, si dhe për realizimin e bashkëpunimit edhe për çështje të karakterit rajonal dhe të procesit të integrimeve euro-atlantike.

Por, parakusht kryesor për realizimin e këtyre objektivave, përfshirë edhe hapjen e perspektivës së zhvillimit ekonomik të vendit, Mustafa theksoi se është sundimi i rendit dhe ligjit në Kosovë.

Qeveria në largim, sipas Mustafës, ka bërë një dëm të madh në këtë aspekt, duke kapur shtetin dhe duke e trajtuar atë si instrument për realizimin e interesave të një grupi të caktual njerëzish.

“Kosova po përjeton telashe nga krimi e korrupsioni. Ka interferim të madh të politikës në gjyqësor. Vetëm EULEX është marrë me njerëzit në pushtet. Nga institucionet e drejtësisë të ndikuara nga qeveria në largim, janë burgosur, me dosje të sajuara, vetëm njerëzit e opozitës. Këto institucione janë trajtuar nga qeveria në largim si instrument në shërbim të oligarkisë së tyre dhe të bizneseve të tyre”, ka thënë Mustafa.