LDK organizon edhe një Kuvend tjetër

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, i cili u rizgjodh në krye të LDK-së edhe për katër vitet e ardhshme ka paralajmëruar mbajtjen e Konventës së dytë të partisë.

Lajme

07/06/2015 10:45

Në këtë Konventë që do të jetë Kuvend punes, Isa Mustafa përmes një publikimi në Facebook, ka bërë të ditur se do të caktohen orientimet programore të LDK-së për katër vitet e ardhshme, si parti e qendrës së djathtë e cila po e udhëheq qeverinë për herë të parë pas lufte.

Ai ka paralajmëruar disa ndryshime edhe për degët e partisë në diasporë, të cilat i shkaktuan probleme në Kuvendin e VIII-të zgjedhor të partisë.

Publikimi i plotë i Isa Mustafës:

Pas përmbylljes së procesit zgjedhor, LDK do të organizoj Konventën e Dytë të saj (Kuvendin punues), për orientimet programore për katër vitet e ardhshme, si parti e qendrës së djathtë e cila ka marrë përgjegjësinë, për herë të parë pas lufte, të drejtojë qeverisjen e vendit. 

Në këtë Konventë, po ashtu, do të propozohen disa ndryshime dhe plotësime të Statutit të LDK-së që ndërlidhen me organizimin e degëve jashtë vendit dhe me moshën e Forumit Rinor të LDK-së. Kurse, delegatëve të Kuvendit, do tu prezantohet raporti i punës së LDK-së për katër vitet e kaluara dhe raporti financiar si dhe do të informohen lidhur me punën e grupit parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës. 

Në fazën përgatitore të kësaj Konvente, do të zhvillohet debat me anëtarësinë dhe organet e LDK-së në terren, ku në mënyrë të drejtpërdrejtë do të japin kontributin e tyre në këto procese. IM