LDK nuk më ka kontaktuar

Ish deputeti Gani Geci mohon lajmet që ai do të jetë Kandidat i LDK’së për Kryetar të Skenderajt, në rast se do të ketë zgjedhje të reja në këtë Komunë. Thotë se nuk është kontaktuar nga LDK për këtë çështje. Tregon pak edhe për raportet me LDK'në.

Lajme

15/12/2013 20:10

Gani Geci dhe Lidhja Demokratike e Kosovës tash për tash nuk kanë një gjuhë të përbashkët.

LDK ka refuzuar rikthimin e Gecëve brenda radhëve të saj, e këta të fundit s’e kanë ndryshuar qëndrimin për udhëheqjen e kësaj partie.

Në një bisedë për lajmi.net, ish deputeti Gani Geci i quan spekulime raportimet se ai do të kandidojë në emër të LDK’së në Skenderaj, ku ka gjasë të ketë zgjedhje të reja, nëse Kryetarit të rizgjedhur, Sami Lushtaku, i cili ndodhet në paraburgim, nuk i mundësohet betimi para Asamblesë Komunale deri në afatin e paraparë me Ligj.

“S’ka folur askush për këtë punë asnjëherë”.

“Faktikisht, për mua kjo është një dezinformatë, sepse me mua prej Kryesisë Qendrore asnjë njeri nuk ka diskutuar”.

“Ne kemi  pas biseduar me Kryetarin e Degës së LDK’së këtu (në Skenderaj) për ta bërë një rikthim tonë, siç është bërë rikthimi i LDD’së në  LDK në të gjitha degët si në Drenas, Pejë, Viti, Gjilan e Ferizaj. I kam thirrur që ta shohin formën si e kanë bërë në vendet tjera, por Kryesia Qendrore nuk ka dashur ta bëjë në atë formë”.

“Unë, megjithatë, qëndroj prapa filozofisë sime se komunistët e Titos dhe të Enverit janë të njëjtë”.

“Ne kemi qenë në LDK, do të thotë, kemi lindur dhe jemi rritur me LDK’në e Presidentit Rugova, ai na ka lënë pak herët. Nuk do të thotë që në LDK’në e nesërme që ne  nuk do të jemi ne aty. Por, tani për tani nuk është biseduar me mua në këtë drejtim hiç”.

Geci thotë se nuk i di arsyet pse nuk ka pasur një pajtim të LDK’së për rikthimin e tyre në parti.

Ai nuk e ka shqyrtuar ende as mundësinë për të kandiduar për Kryetar të Skenderajt, në ndonjë opsion tjetër.

“Tani për tani nuk i kemi shqyrtuar ato mundësi”.

“T’ju them se LDK i ka marrë së fundi 360 vota këtu, ndërsa dikur i ka pasur 3 mijë vota, e tash i ka dhjetëfish më pak”.

“Sa i përket kandidimit, tani për tani nuk e kemi ndonjë plan në këtë drejtim”.

“Megjithatë ende s’dihet as çka do të bëhet me Kryetarin e tanishëm i cili është i zgjedhur. Pa e sjellë një vendim KQZ’ja se si do të shkojnë rrjedhat…”.

“Nëse LDK’ja mendon se duhet t’i bashkojë pjesët, ajo duhet ta gjejë formën për këtë, sikundër duhet ta gjejë edhe arsyen e refuzimit të mëhershëm”.

“Nuk jam një tip që dal për t’u sfiduar kur dikujt i duhem. Por, jam për atë që të ketë ndryshime në Skenderaj dhe në Kosovë”.

“Populli ka kërkuar ndryshime gjithkund, në secilën Komunë”.

“Vetë populli ka kërkuar ndryshime në Pejë, ndryshime në Gjakovë, ndryshime edhe në Mitrovicë me një kandidat krejt të panjohur si dhe ndryshime në Prishtinë”.

“Nëse e analizojmë këtë të fundit nuk del se ka fituar Vetëvendosje në Prishtinë,  por se ka humbur Isa Mustafa”.

“Nëse i analizojmë tani prononcimet e Ambasadës Amerikane për Gjakovën dhe Prishtinën, kjo Ambasadë thotë që ata janë dy njerëz të shkolluar në Amerikë e që jep të kuptohet se Shpendi mund të jetë kandidat i Amerikanëve”.

“Nëse e analizojmë FER’in e mëhershëm ku ka qenë Shpend Ahmeti, atëherë  Ambasada Amerikane gati çdo të dytën apo treten ditë shkonin e vizitonin FER’in dhe asnjëherë Vetëvendosjen”

“As tash nuk shkojnë për ta vizituar Vetëvendosjen. Kjo jep të kuptohet se Shpendi është kandidat i Amerikës dhe Isa Mustafa nuk është. Logjika më çon kështu”.