LDK nuk i dorëzohet presionit të AAK-së: Për presidentin duhet konsensus, jo diskutime veç me një parti
Posti i presidentit është shndërruar në "mollë sherri" në mes partnerëve të koalicionit qeverisës, LDK-së dhe AAK-së.

Lajme
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), tash e sa kohë janë duke u “përplasur” me njëra me tjetrën për postin e kreut të shtetit, shkruan lajmi.net.
Derisa AAK-ja thotë se nuk bëjnë kompromis për postin e presidentit, nga LDK thonë se në këtë parti ende nuk është trajtuar çështja e postit të presidentit.
“LDK nuk e ka trajtuar çështjen e Presidentit në organet e saj vendimmarrëse. Është shprehur se presidenti i vendit ka mandat kushtetues dhe se nuk janë krijuar rrethanat të merremi me presidentin e ardhshëm. Çdo subjekt ka të drejtë të aspirojë për pozitën e Presidentit, sikurse edhe çdo qytetar i Kosovës, në harmoni me kushtet që i parasheh Kushtetuta”, ka thënë zyrtarja për informim në LDK, Gentiana Azemi.
Po ashtu nga LDK thonë se për zgjedhjen e presidentit nuk mund të bisedohet vetëm me një parti, por duhet pajtim më i gjerë.
LDK-ja thotë se Kosovës i duhet një kandidat me të cilin mund të bashkëpunohet, mund t’i besohet, që siguron unitetin e vendit dhe që e përfaqëson me përgjegjësi dhe dinjitet Kosovën jashtë
“Zgjedhja e Presidentit nuk bisedohet dhe nuk zgjidhjet vetëm me një parti politike. Lypset një pajtim i gjere, një koncesus që siguron jo vetëm përkrahje verbale por edhe votat në Kuvend. Një kandidat me të cilin mund të bashkëpunohet, mund t’i besohet, që siguron unitetin e vendit dhe që e përfaqëson me përgjegjësi dhe dinjitet Kosovën jashtë. LDK nuk paragjykon sjelljen e askujt dhe kërkesat e askujt, por mbetet e përkushtuar që Kosova të zgjedh një president që e meriton”, thonë tutje nga kjo parit.
Ndërsa, deputeti i AAK-së Arbër Tolaj i ka thënë lajmit se kjo parti nuk bë në kompromis për postin e presidentit.
Ai thotë se Aleanca e ka kandidatin e saj për president, Ramush Haradinajn, prandaj nuk do të bëjë kompromis për këtë post dhe nëse nuk arrihet marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ata thonë se janë të gatshëm për zgjedhje.
Tolaj ka thënë se kjo parti e ka kandidatin për president dhe në këtë pikë nuk do të bëjnë kompromis.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qenë transparente në ketë temë, e ka kandidatin për president, brenda afatit të rregullt se zgjedhjes së presidentit. Por nëse nuk dakordohemi për marrëveshje në ketë pikë, ne si Aleance nuk bëjmë kompromis, jemi të gatshëm edhe për zgjedhje”, ka thënë Tolaj. /Lajmi.net/
Ramush Haradinaj president ose vendi shkon në zgjedhje, AAK kërcënon sërish koalicionin