LDK nuk do ta dërgoj në Kushtetuese Ligjin për Buxhetin, kërkon nga Osmani që ta kthejë atë në Kuvend

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi, ka thënë se nuk do ta dërgojnë Ligjin për Buxhetin në Kushtetuese, por kërkoi nga presidentja Osmani që të garantojë që ligji të kthehet në kuvend dhe t’i plotësojë kriteret e duhura. “Hedhja në votim e shkurtimit të afateve dhe procedurave për trajtimin në shqyrtim të dytë…

Lajme

21/11/2024 12:46

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi, ka thënë se nuk do ta dërgojnë Ligjin për Buxhetin në Kushtetuese, por kërkoi nga presidentja Osmani që të garantojë që ligji të kthehet në kuvend dhe t’i plotësojë kriteret e duhura.

“Hedhja në votim e shkurtimit të afateve dhe procedurave për trajtimin në shqyrtim të dytë dhe trajtimin në Komisionet për Projektligjin për Ndarjet buxhetore nuk ka qenë në rend të ditës dhe kjo ka kufizuar të drejtat dhe mundësitë e deputetëve që të japin mendimet dhe vlerësimet e tyre. Pra kjo është një shkelje e rëndë kushtetuese duke u pamundësuar deputetëve që të bëjnë amandamente dhe propozime sepse janë lënë vetëm 2 ditë kohë për të bërë amandamente në projektligjin për ndarjet buxhetore. Problemi i dytë që është vërejtur dhe diskutuar dhe që mbetet problem i cili është konstatuar edhe me këshillën juridike që e ka dhënë këshilltari juridik në kuvendi është në dy pika tjera që kanë të bëjnë me Ligjin për Ndarjet Buxhetore. Me ligjin për Ndarjet Buxhetore që është ligj i karakterit vjetor tentohet që të ndryshohet ligji për pagat e zyrtarëve publikë dhe po ashtu tentohet të ndryshohet ligji për Tatimin në Pronën e Paluajtshme. Të trija këto përbëjnë shkelje kushtetuese, dy të fundit përbëjnë kolizion me ligjet e tjera, pra përplasje me ligjet tjera ku për këto raste ka vendim dhe interpretim të Gjykatës Kushtetuese. Të paktën në dy raste Gjykata Kushtetuese ka gjykuar dhe ka vendosur se nuk mundet një ligj i karakterit të përkohshëm ose një ligj tjetër ta ndryshojë një ligj bazik. Në këtë rast ligji i buxhetit i kufizuar në kohë nuk mund të ndryshojë ligjin për pagat e zyrtarëve publikë sepse vetë ligji nuk ia ka dhënë këtë të drejtë. Ligji ia ka dhënë të drejtën qeverisë që nëpërmjet ligjit për buxhetin të rrisë vlerën e koeficientit por jo të ndryshojë hierarkinë e koeficientëve dhe po ashtu ligji për tatimin në pronën e paluajtshme. Prandaj vlerësoj se këto janë shkelje të rënda, dhe sidomos heqja e mundësisë së deputetëve për tu shprehur lidhur me buxhetin, unë i kam bërë dy amendamente që as nuk janë trajtuar në komisione sepse janë konsideruar të pas-afatshme. Afati i vendosur është afat i paligjshëm sepse nuk ka qenë në rend dite në diskutim”, ka thënë Gashi në Kuvend.

“Duke e marrë parasysh që Ligji për Buxhetin është ligj jashtëzakonisht i rëndësishëm për financat e shtetit ne si GP nuk do ta dërgojmë në Kushtetuese por ne i bëjmë thirrje presidentes së Kosovës që të jetë në detyrën e vet kushtetuese dhe të garantojë që ligji të kthehet në kuvend dhe t’i plotësojë kriteret e duhura. Kjo do të garantonte një funksionalitet dhe vendi do të kishte buxhet, përndryshe kur të shkojmë në zgjedhje, pa buxhet, është jashtëzakonisht e rrezikshme. Shkuarja në zgjedhje nën hipotezën që ne e dërgojmë ligjin për buxhetin në Kushtetuese ai do të bllokohet të paktën për 6 muaj dhe kjo do të thoshte kolaps për financat e shtetit. Nuk jemi të interesuar për kolaps, nuk do ta bëjmë”, tha ai.

Gashi vazhdoi që ky buxhet do të jetë “i përkohshëm” sepse sipas tij do të ketë qeveri të re.

Ai e thumboi qeverinë duke e “përgëzuar”.

“Për herë të parë kanë mbrri që me një ligj me shkel tri herë Kushtetutën. Bravo ju koftë”, tha ai në fund.