LDK në Ferizaj e ka shndërruar Komunën në “kantier punësimi” për militantë e familjarë

Dega e PDK-së në Ferizaj konsideron se pushtetit aktual e ka shndërruar komunën në "kantier punësimi", duke mos zgjedhur forma për t'i rehatuar familjarët dhe militantët partiak. 

Lajme

13/09/2014 18:41

Në një konferencë për media, shefi i Departamentit të Administratës në degën e PDK-së, Selim Marevci, ka thënë se kreu i komunës, Muharrem Svarqa po e përdor pushtetin për të punësuar familjarë dhe militant partiak.

Ky i fundit, ka reaguar ndaj këtyre kualifikimeve, duke vënë theksin në atë se nuk është bash ashtu siç thotë opozita dhe se në kuadër të punësimeve ka edhe njerëz që vijnë nga subjekti i cili edhe i ngriti këto shqetësime.

Fillimisht, Marevci, theksoi se pushtetit përmes kryetarit po shfrytëzon konkurset e rregullta, partneritetin me organizatat e ndryshme dhe kontratat mbi vepër për t’i sistemuar familjarët e zyrtarëve të LDK-së, por edhe militantët e tyre partiak.

Ai ka sjell shembuj se si këtë mundësi e kanë shfrytëzuar njerëzit kryesor të LDK-së, duke filluar nga kryetari që ka punësuar kunatën-motrën e gruas, në një shkollë fillore, pastaj shembullin e Drejtorit të Urbanizmit që ka punësuar të bijën në një kompani publike, rastin e shefit të grupit parlamentar të LDK-së, që ka punësuar vajzën në administratën komunale etj, por pa harruar edhe punësimet që vijnë nga jashtë Kosova, duke sjell shembullin e asistentes të kryetarit që vije nga Dibra e Shqipërisë.

“Komuna e Ferizajt, në theks të veçantë administrata komunale, sot i ngjason më shumë një partie politike, se sa një institucioni shtetëror, i cili është i thirrur që të jetë në shërbim të qytetarëve pa dallime partiake. Kryetari i komunës në vend që të merret me rritjen e efikasitetit dhe efiqiences, ai përmes këtyre punësimeve të militantëve partiak, është duke iu shkaktuar pengesa qytetarëve në marrjen e shërbimeve, si dhe duke i penguar zyrtarët e administratës komunale në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve” ka thënë Marevci, për të shtuar se PDK-ja është e shqetësuar se ky pushtet ka bërë punësimin e një numri të madh të njerëzve, të cilëve gjatë fushatës, kryetari iu ka bërë premtime dhe të cilëve tani po duhet t’ ua kthej “borxhin” duke i punësuar jashtë çdo ligji dhe logjike.

“Kur po vie puna tek pagesat e këtyre punëtorëve, një numër shumë të madh të tyre nuk iu është bërë pagesa me muaj të tërë, dhe realisht këta militantë që në radhë të parë janë qytetarë të Ferizajt, kanë rënë pre e mashtrimeve të kryetarit Svarqa”, ka thënë Selim Marevci.

Në prononcimin e tij para medieve, kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka thënë se më në fund opozita, në këtë rast PDK-ja, ka filluar që të kuptoj rolin e vet opozitar. Svarqa i është përgjigjur një për një këtyre shqetësimeve duke thënë se e kupton shqetësimin e opozitës, por që kualifikimet e saja nuk qëndrojnë.

Ai ka thënë se kunata e tij që është përfolur si e punësuar nga kryetari, ka qenë pjesë e listës së PDK-së për Kuvendin komunal, ka qenë pjesë e PDK-së e asesi nuk mund të flitet se e ka shfrytëzuar LDK-në për punësim.

“Të gjithë e dinë se ajo ka qenë pjesë e PDK-ë, por që në konkursin për zv/drejtoresh shkolle i ka plotësuar kriteret dhe është përzgjedh nga komisioni vlerësues”, ka thënë Svarqa.

Për më tepër, ai është ndalur edhe të punësimi i vajzës së Drejtorit të Urbanizmit, duke thënë se bëhet fjalë për një vajzë që i ka kryer studimet në Itali, me bursë nga Komuna e Ferizajt.

“Unë kam bërë një apel se të gjithë studentët që i kanë kryer studimet jashtë vendit përmes bursave që kanë marr përmes komunës së Ferizajt të vijnë dhe të paraqitën në komunë që të jenë pjesë e interesave të komunës, sepse ata me dijet e tyre janë më konkurrentë me dijet që po merren këtu”, ka thënë Svarqa, ndërsa për rastin e asistentes së tij ka thënë se ajo më të vërtetë është nga Shqipëria, por që është e martuar këtu dhe e gëzon të drejtën për të qenë e punësuar.

Më tutje, Svarqa, ka vënë në dukje se një pjesë e të punësuarve kanë qenë të punësuar me kontratë mbi vepër, të angazhuar nga Ministria e Diasporës, për të qenë në funksion të mërgimtarëve, ndërsa i pyetur për numrin e këshilltarëve të tij të punësuar, Svarqa, ka thënë se ka shumë njerëz me të cilët ai konsultohet, njerëz të dijës dhe të cilët kanë ushtruar funksionet të ndryshme në Kuvendin komunal dhe që janë njerëzit që kanë vendosë bazat e zhvillimit paralel por institucional të Republikës së Kosovës.

“Kam respekt për ta dhe jam nderues për punën dhe veprën e tyre, për dijen e tyre. Ndërsa, janë vetëm tre këshilltar që paguhen në marrëveshje me Caritas-in e Kosovës, si mungesë e legjislacionit, që stafi kryetarit të ketë një numër të këshilltarëve”, ka thënë kryetari Muharrem Svarqa.

Ndryshe, kjo është hera e dytë gjatë kësaj jave që PDK-ja po atakon pushtetin për shkak të punësimeve, fillimisht në arsim dhe tash në administratën komunale.