LDK: Mos u besoni njerëzve të paautorizuar që flasin në emrin tonë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj disa deklaratave të përfaqësuesit të LDK-së në Zvicër, Shefqet Dibrani lidhur me zgjedhjen e presidentit të vendit.

Lajme

07/02/2016 12:31

LDK përmes një komunikate për media, ka sqaruar opinionin publik se qëndrimet e shprehur nga Dibrani nuk janë qëndrime të LDK-së, pasi ai nuk “përfaqëson LDK-në ën Zvicër”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës sqaron se deklaratat, të publikuara në mediat elektronike kinse në emër të nëndegëve dhe degëve të LDK-së për zgjedhjen e Presidentit të vendit, nuk shprehin qëndrimet e LDK-së”.

“Degën e LDK-së në Zvicër nuk e përfaqëson Shefqet Dibrani, dhe i  njëjti nuk përfaqëson asgjë për LDK-në, për traditën dhe kulturën e partisë. LDK-ja fton publikun dhe simpatizantët e saj që të mos humbin kohë me deklarata dhe komunikata të pa autorizuara dhe dashakeqke të  z. Dibrani”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

“Deputetet e LDK-së përfaqësojnë një parti institucionaliste dhe shteteformuese, i kane të qarta rrethanat në të cilat ndodhet vendi dhe janë të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm për veprimet e tyre, dhe për pasojat e këtyre veprimeve. Ata që merren dhe shkruajnë letra, do të ishte më mire që një herë në jetën e tyre të punojnë e të jetojnë nga puna dhe djersa e tyre dhe jo të jetojnë me ndihmat e taksapaguesve të atyre vendeve e të djerrin kohën duke prodhuar patriotë e tradhtarë në Kosovë”, thuhet tutje në komunikatë./lajmi.net