LDK: “lista fiktive” po përpiqet të përfitojë nga familja Rugova
Deklarata e Ministrit Dardan Gashi, se LDK ka harruar familjen Rugova, nxiti reagimin e LDK'së. Ata akuzuan \"listën fiktive\" të Ukë Rugovës se po mundohen të përfitojnë nga emri i familjes Rugova.

Lajme
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të Dardan Gashit nga “Lista Dr.Ibrahim Rugova”, i cili kishte deklaruar se LDK nuk është interesuar për familjen Rugova prej se Ukë Rugova ishte paraburgosur.
Madje, Dardan Gashi kishte akuzuar LDK’në, se e përmend emrin e Presidentit Rugova vetëm për të fituar vota.
Por në anën tjetër, LDK thotë se “Ministri i Thaçit”, pikërisht po përdor emrin e Presidentit Rugova për të sulmuar këtë parti.
“Ministri i Hashim Thaçit, Dadan Gashi, në dy raste u përpoq ta përdorë emrin e familjes së nderuar Rugova për ta sulmuar Lidhjen Demokratike të Kosovës”.
“Përfaqësuesi i një liste fiktive po përpiqet që në prag zgjedhjesh të përfitojë në emrin e familjes Rugova dhe ta fshehë përkatësinë e tij politike si shërbëtor i z. Thaçi”.
“Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, Familja Rugova ka qenë dhe është tepër e nderuar. Lidhjet e LDK-së me familjen Rugova kanë qenë dhe janë tepër të ngushta dhe të sinqerta. Janë lidhje të një subjekti me familjen e themeluesit të vet dhe në këtë mes nuk mund të hyjë askush”.
“LDK-ja ka vlerësuar se familja Rugova po kalon nëpër një situate të vështirë dhe se kjo nuk duhet të keqpërdoret nga asnjë eksponent. Tentativa për përdorimin nga kushdo qoftë të kësaj situate si argument politik kundër të tjerëve nuk e ndihmon aspak familjen Rugova”.
“LDK-ja vlerëson se Dardan Gashi nuk e përfaqëson familjen Rugova dhe nuk mund të përfaqësojë politikisht asgjë rugoviane derisa vijon të jetë shërbëtor i z.Thaçi dhe i PDK-së”, thuhet në reagimin e LDK-së.