LDK kundër ulëseve të rezervuara

Deputeti Haki Demolli thotë se LDK kundërshton vazhdimin e ulëseve të rezervuara për pakicat në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, kjo krijon diskriminim ndaj shumicës.

Lajme

13/12/2013 08:19

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga LDK, Haki Demolli ka dalë kundër kërkesës së përfaqësuesve të komuniteteve pakicë në Kosovë për vazhdimin e ulëseve të rezervuara për ta në Kuvend.

Demolli, i cili është Kryetar i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, është shprehur se vazhdimi i kësaj praktike krijon diskriminim ndaj popullatës shumicën në përfaqësimin e tyre në organin legjislativ.

“Personalisht në parim jam kundër vazhdimit të mandateve të rezervuara. Po ashtu edhe subjekti im politik është kundër vazhdimit të kësaj praktike”.

“Në esencë çështjen e shtimit apo vazhdimit të mandateve të rezervuara e shoh si një çështje diskriminuese. Ndonëse në njërën anë ka një diskriminim pozitiv për minoritetet, në anën tjetër ka diskriminim për popullatën shumicë dhe për përfaqësuesit e tyre. Kjo popullatë, konkretisht shqiptarët do të kenë një numër më të vogël të përfaqësuesve të tyre në Kuvendin e Kosovës”.

Demolli ka thënë se edhe në këtë rast duhet të veprohet ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Kosovës.

“Pra të jemi të qartë, ne jemi kundër vazhdimit të këtyre mandateve dhe ndryshimit të Kushtetutës në këtë drejtim”.

“Tekefundit kjo çështje është e rregulluar me dispozitat e Kushtetutës së Kosovës dhe parashihet që pas kalimit të dy legjislaturave të shkohet vetëm me vende të garantuara e jo me ato të rezervuara”.

Sipas tij, nëse bëhet ky lëshim tash, më vonë do të jetë e vështirë për t’u shfuqizuar kjo.

“Do të ishte e rrezikshme nëse minoriteve ju vazhdohen edhe për një mandat vendet e rezervuara, sepse mënyra e ndryshimit të Kushtetues sonë që kërkon dy të tretat e shumicë dhe dy të tretat e pakicave, atëherë ne vështirë se do të mund ta bëjmë ndryshimin e mëtutjeshëm”.

“Në përgjithësi mendoj se nuk është mirë që të hapet çështja e Kushtetutës, por duhet të ndryshohet vetëm ligji mbi zgjedhjet”.