LDK kundër shitjes së PTK’së përmes Buxhetit

Qeveria e Kosovës ka dërguar një amendament në Komision për Buxhet dhe Financa ku thuhet se nëpërmjet votës pro Buxhetit, raporti ndërministror për privatizimin e PTK’së konsiderohet i miratuar. LDK e quan këtë antikushtetues.

Lajme

13/12/2013 12:24

Lidhja Demokratike e Kosovës po kundërshton formën se si Qeveria e Kosovës po mundohet që ta privatizojë PTK’në, përmes Ligjit të Buxhetit.

Dje, në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Qeveria e Kosovës ka dërguar një amendament, ku kërkohet që nëpërmjet Ligjit të Buxhetit të privatizohet edhe PTK.

“Mjetet në shumën prej 277 milionë euro nga shitja e 75% të aksioneve të PTK’së, përfshihen në bilancin bankar sipas Ligjit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2014. Këto mjete siç përcaktohet me nenin 22.A.6, të Ligjit të Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, të plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin 04/L-194, do të përdoren vetëm për investime kapitale. Me miratimin e Ligjit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2014, raporti i dorëzuar nga Qeveria me 27 maj 2013, nr.144/13 në Kuvendin e Kosovës, konsiderohet i miratuar”, thuhet në amendamentin e dërguar nga Qeveria e Kosovës.

Naser Osmani dhe Hykmete Bajrami nga LDK, dërgimin e këtij amendamenti e konsiderojnë joligjor, si në aspektin procedural, po ashtu edhe substancial.

Ata kanë mbajtur një konferencë për media, të premten, për t’i dhënë pikëpamjet e LDK’së për këtë çështje.

Sipas Hykmete Bajramit, pjesa më e kontestueshme është ajo ku thuhet se nëpërmjet miratimit të Buxhetit, raporti ndërministror për shitjen e PTK’së do të konsiderohet i miratuar.

“Imagjinojeni, koalicioni së bashku me të gjitha votat e minoriteteve nuk ka arritur një kohë të gjatë që të mbledhë  61 deputetë që të bëjë kuorumin në sallë për ta votuar raportin e komisionit ndërqeveritar, për arsye se komplet procesi konsiderohet nga shumica e deputetëve si ilegal”.

“Qeveria shkel Ligjin e Buxhetit, ajo kërkon votën e deputetëve për Ligjin e Buxhetit dhe me këtë votë thotë ne konsiderojmë që ju keni dhënë votën edhe për raportin”.

Naser Osmani thotë se Qeveria nuk ka respektuar afatet ligjore për sjelljen e këtij amendamenti në Komision. Ai gjithashtu thotë se kjo është shkelje e kushtetutës dhe do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore.

“Dje në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Qeveria bjen amendamentin për ta kamufluar shitjen e PTK’së, në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit, me nenin 57 pika 3 ku thuhet qartë se amendamentet mund të sillen brenda afatit 2 javor prej leximit të parë. E leximi i parë ka ndodhur me 21 nëntor”.

“Do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore, procedurale që ta kundërshtojmë një futje të paligjshme në Ligjin për Buxhetin, dhe do ti drejtohemi edhe Gjykatës Kushtetuese për ta kundërshtuar mënyrën e privatizimit në këtë formë”.

LDK paralajmëron lëshimin e seancës nëse ky amendament sillet në Kuvend.

Hykmete Bajrami thotë se ata nuk duan të jenë pjesë e këtij cirku, dhe po ashtu bëri thirrje te të gjithë deputetët të mos e votojnë një gjë antikushtetuese.

“Kushdo që e voton këtë Buxhet bënë shkelje kushtetuese”.

“Ne do ta lirojmë sallën, sepse nuk do të bëhemi pjesë e këtij cirku”, tha deputetja Hykmete Bajrami.