LDK kërkon zgjedhje para fillimit të bisedimeve

Lutfti Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh kryetar i Gjilanit, ka thënë se qëndrimi i LDK-së ka ndryshuar, dhe kjo parti tash kërkon zgjedhje të reja parlamentare para fillimit të dialogut.

Lajme

11/07/2018 22:34

“Kërkesa e LDK-së ka evoluar, duam zgjedhje politike para dialogut. Për kryesinë e LDK-së legjitimiteti i dialogut po vihet në pikëpyetje”, ka deklaruar Haziri në “Debat Plus” në RTV Dukagjini.

Nënkryetari i LDK-së ka thënë se në çdo tryezë të partive politike zgjedhjet kanë dalë si një prioritet.

“Sa herë që jemi ulë në tryezat e organizuara nga partitë politike, zgjedhjet kanë dalë prioritet, e tani të mos flasim për zgjedhje nuk është në rregull”, tha ai.

Sipas tij, LDK-ja ka synim për të marrë pushtetin vetëm me zgjedhje dhe është logjike të kërkoj zgjedhje.
“Ne si LDK, nuk kemi asnjë kërcënim tjetër përpos me zgjedhje të marrim pushtetin”.

I pari i Gjilanit ka thënë se legjitimiteti në pikëpyetje i dialogut, duhet të shqetësoj institucionet.

“Legjitimiteti në pikëpyetje i dialogut, duhet të jetë një alarm, për institucionet qeveritare”, ka deklaruar Lutfi Haziri.