LDK kërkon dorëheqjen e Rektorit dhe Këshillit Drejtues
Lidhja Demokratike e Kosovës e ka quajtur alarmante gjendjen në Universitetin e Prishtinës. Kjo parti opozitare ka paraqitur edhe Rekomandimet e saj, ku pika e parë është dorëheqje e Rektorit Ibrahim Gashi dhe Këshillit Drejtues. Ja rekomandimet e LDK'së.
Lajme
Lidhja Demokratike e Kosovës e ka quajtur alarmante gjendjen në Universitetin e Prishtinës.
Grupi parlamentar i kësaj partie ka kërkuar zgjidhje të menjëhershme të situatës së krijuar në UP.
LDK, si inicuese e debatit në Kuvend për situatën në Universitetit, ka paraqitur edhe Rekomandimet e saj, ku pika e parë është dorëheqje e Rektorit Ibrahim Gashi dhe Këshillit Drejtues.
Sipas kësaj partie, edhe Rektori edhe Këshilli Drejtues kanë humbur kredibilitetin e tyre dhe si rrjedhojë duhet t’i hapin rrugën normalizimit të gjendjes në UP.
Deputetja e LDK’së, Lirije Kajtazi, tha se kjo parti konsideron se ngjarjet e fundit e kanë dëmtuar shumë imazhin e universitetit më të madh dhe më të njohur në vend dhe se ato janë pasojë e ndërhyrjeve sistematike të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Qeverisë në UP.
“Nga ndërhyrjet politike dhe të kundërligjshme është dëmtuar cilësia, janë krijuar grupe joformale interesi, të cilat nuk mund t’i sjellin asnjë të mirë UP’së”.
“LDK’ja, me qëllimin më të mirë dhe duke pasur parasysh rëndësinë që ka universiteti më i madh publik në vend, në shumë raste ka dhënë vërejtjet e veta, sugjerimet dhe ka propozuar zgjidhje, por Qeveria nuk ka treguar vullnet që të hapë rrugë për punë normale në UP”.
“Po me qëllimin që ta ndihmojë UP-në, LDK-ja ka vendosur që përmes Grupit parlamentar të kërkojë këtë debat parlamentar, në të cilin LDK-ja do bëjë vlerësimet dhe do të japë rekomandimet e veta lidhur me të gjitha zhvillimet”.
Rekomandimet e LDK’së për Universitetin e Prishtinës
1. Rektori dhe Këshilli Drejtues i UP-së ka humbur kredibilitetin për të udhëhequr me UP-në. Prandaj Rektori i Universitetit “Hasan Prishtina”, z. Ibrahim Gashi dhe anëtarët e Këshillit Drejtues duhet të japin dorëheqje dhe t’i shërbejnë procesit të normalizimit në Universitetin e Prishtinës.
2. Të vlerësohet përgjegjësia e ministrit dhe MASHT për mospërcjelljen me kohë të trendëve në UP-së dhe mos marrjen e masave ligjore në kohe të duhur.
3. Qeveria të heqë dorë nga kontrolli i paligjshëm që ka vënë mbi Universitetin e Prishtinës dhe nga përdorimi i tij si vend akomodimi për militantët e saj politikë, si dhe të respektohet autonomia e plotë e Universitetit. Kësaj do t’i ndihmonin ndryshimet e domosdoshme në Statutin e UP-së dhe Ligjin e Arsimit të lartë që anëtarët e këshillit drejtues të UP-së të zgjedhen nga Kuvendi i Kosovës si themelues i UP-së e jo nga ministri;
4. Organet kompetente, duke përfshirë edhe prokurorinë, të kërkojnë përgjegjësi dhe t’i vënë para drejtësisë pjesëmarrësit në veprimet e kundërligjshme të UP-së.
5. Të respektohet Statuti i UP-së për zgjedhjen dhe gradimin e stafit akademik dhe të revokohen zgjedhjet dhe gradimet e pamerituara dhe në kundërshtim me procedurat ligjore.
6. MASHT-i së bashku me UP-në t’i përcaktojnë politikat e regjistrimit në përputhje me kapacitetet akademike, fizike dhe financiare të UP-së dhe të harmonizuara me kërkesat e tregut të punës .
7. Të mos nëpërkëmben profesorët dhe shkencëtarët që janë pjesë e Universitetit të Prishtinës të cilët kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë punë akademike të mirëfilltë shkencore. Të gjithë akterët e përfshirë në këtë proces duhet të angazhohen të ruajnë kredibilitetin dhe integritetin e mësimdhënësve në UP.