LDK-ja: Tentime për manipulime masive nga ana e Thaçit

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar ndaj fjalimit të kryeministrit Hashim Thaçi që ai ka mbajtur me studentët në Universitetin e Prizrenit, duke bërë thirrje për ndihmë për të fituar edhe zgjedhjet e ardhshme nacionale.

Lajme

07/04/2014 18:30

Sipas ekspertëve të LDK-së, Hashim Thaçi po i korrupton qytetarët.

“Qeveria e PDK-së dhe kreu i saj, duke e ditur që do të jenë humbës në zgjedhjet e përgjithshme, pa zgjedhur mjete, kundër ligjeve dhe kundër Kushtetutës, po përpiqen që të korruptojnë qytetarët e të gjitha kategorive. Një qeveri e korruptuar si kjo mendon se të gjithë mund të korruptohen”, thuhet në reagimin e ekspertëve të LDK-së.

Në reagimin e tyre shtohet se kryeministri para studentëve në Prizren ka bërë fushatë të hapur dhe ka kërkuar nga studentët që uljen e pagesës ta shndërrojnë në votë për PDK-së, e që sipas tyre është në kundërshtim me ligjin dhe me çdo etikë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës dënon tentimin për manipulim masiv të qytetarëve dhe në veçanti të studentëve nga ana e PDK-së”, thuhet në reagim.

Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon korrektësi, sjellje ligjore dhe institucionale.

“LDK-ja fton qytetarët të mos mashtrohen nga premtimet e kota të atyre që e rrënuan vendin dhe që nuk mund të shpëtojnë asgjë në fund të mandatit të tyre. LDK-ja angazhohet për korrektësi, përgjegjshmëri, sjellje të dinjitetshme dhe qytetëruese. LDK-ja, me sjelljen e saj, do të vijojë t’i ndihmojë të gjitha proceset normale në vend”, thuhet më tutje në këtë reagim.

Në fund të njoftimit të LDK-së shtohet se kjo parti do të japë gjithë ndihmesën e saj për të përgatitur zgjedhje të mira, të lira dhe të ndershme.