LDK i kundërpërgjigjet VV-së, akuzon Shpend Ahmetin për shkelje ligji

Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, me anë të një letre e ka akuzuar Komunën e Prishtinës dhe kreun e saj, Shpend Ahmeti për, siç kanë thënë ata, shkeljet drastike të ligjeve në fuqi, duke kërkuar në këtë mënyrë përgjigje për disa raste të caktuara. Këto shkelje ata thonë se do t’ia dërgojnë patjetër Prokurorisë.

Lajme

08/01/2015 17:25

“Z. kryetar, a jeni të informuar nga vartësit tuaj për shkeljet ligjore me rastin e lëshimit të lejeve ndërtimore me veprim retroaktiv, gjë që është në kundërshtim të plotë me Ligjin për ndërtim nr. 06/L- 110 sepse, me asnjë dispozitë të këtij ligji nuk parashihet mundësia e lëshimit të lejeve ndërtimore për objekte të filluara së ndërtuari apo para përfundimit të tyre, sepse leja ndërtimore lëshohet për ndërtim e jo për objekt të ndërtuar.

Skandaloze është fakti se vartësit e juaj kanë lëshuar leje ndërtimi me veprim retroaktiv për “dosjet” si që theksoni ju, të cilat janë dërguar në prokurorinë e shtetit, për të cilat janë lëshuar edhe vendimet për rrënim por, për moszbatim të tyre i tërë stafi i sektorit të inspekcionit për ndërtim është arrestuar mbi këtë bazë”, shkruan në letrën drejtuar Ahmetit, siguruar nga Indeksonline.

“Si është marrë ai guxim edhe nga aspekti i zhvillimit të hetimeve nga prokurori i shtetit kur vepra për të cilën akuzohen ish- inspektorët tani është ndryshuar me paisjen me leje dhe zhvillimin e punimeve në ato objekte. Si është e mundur që të lejohet vazhdimi i punimeve në këto ndërtesa, pa procedurën e mbikëqyrjes së tyre dhe pa shënimin e protokoleve për secilën fazë të ndërtimi e veçanarisht kur mirret parasysh që këto objekte janë të destinuara për treg, nga rezulton se, lejimi i ndërtimit në këtë formë paraqet rrezikshmëri në ndërtim ku organi është bashkëpjesëmarrës me këtë vepër penale”, thuhet mes tjerash në këtë shkresë.

Sipas GP të LDK-së, vartësit e Ahmetit kanë tentuar t’i fshehin këto veprime duke mos i detyruar këta investitorë që lejen ndërtimore ta ekspozojnë në vend-ndërtim, ashtu siç parashihet në nenin 26 të Ligjit për ndërtim.

“Këto shkelje ligjore dhe moszbatim i Ligjit për ndërtim paraqesin vepër penale neni 36 i ligjit i sanksionuar me nenin 222 të Kodit penal/ si dhe pengim në zhvillim të hetimeve të prokurorit të shtetit”.

GP i LDK-së ka pyetur Ahmetin nëse ai është në dijeni për nepotizëm, konflikt interesi dhe keqpërdorim të detyrës zyrtarës nga Zazane Raskova.

“A jeni në dijeni për nepotizëm, konflikt interesi dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare të znj. Zazane Raskova, e cila në vazhdimësi ka hartuar projektet përmes firmës së regjistruar në emër të vajzës së motrës, të cilën tani vartësit e juaj e kanë punësuar në Drejtorinë e Urbanizmit, ndërsa tani projektet e hartuara nga kjo firmë lirshëm i dërgon në drejtori burri i saj. Po ashtu, caktimi si anëtarë të komisionit për pranim teknik bashkëshortët e të punësuarve në atë drejtori, jo vetëm se është i paligjshëm por, është konflikt i drejtëpërdrejt i interesit”, thuhet në vazhdim.

“A jeni në dijeni se në Drejtorinë për Urbanizëm në kushte plotësisht të barabarta para planeve urbanistike dhe ligjeve në fuqi diskriminohen palët sipas tekeve apo interave të stafit të kësaj drejtorie”, pyesin Shpend Ahmetin.

Krejt në fund, GP i LDK-së e ka pyetur kryetarin nëse dëshiron që edhe këto shkelje, siç i cilësojnë ata, t’i dërgojë në Prokurori ? Nëse jo, sipas GP të LDK-së, atëherë ata gjithsesi se do t’i dërgojnë këto raste në Prokurorinë e shtetit. /Indeksonline/