LDK: Eqrem Kryeziu nuk është shkarkuar

LDK ka reaguar pas raportimeve në media lidhur me shkarkimin e Eqrem Kryeziut dhe Degës së LDK’së në Prizren. Thotë se kjo s’është e vërtetë dhe se shkarkimet arbitrare s'janë mjet i saj. Por, pohon të jetë themeluar Shtabi i Degës për Zgjedhjet.

Lajme

28/02/2014 21:18

Lidhja Demokratike e Kosovës, në një komunikatë për media, ka hedhur poshtë raportimet në disa media të cilat pohonin se gjatë ditës është shkarkuar Eqrem Kryeziu dhe Dega e LDK’së në Prizren, pas një takimi të mbajtur në Prishtinë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës dëshiron të bëjë me dije se lajmi për shkarkimin e kryetarit dhe të Kryesisë së Degës së LDK’së në Prizren është plotësisht i pavërtetë dhe tendencioz.”

“LDK njofton anëtarët, simpatizantët dhe gjithë opinionin se nuk ka ndodhur asnjë shkarkim dhe se shkarkimet arbitrare nuk janë dhe nuk do të jenë asnjëherë mjet i LDK’së.”

LDK ka njoftuar se gjatë ditës, lideri i saj Isa Mustafa është takuar me drejtuesit e Degës së Prizrenit dhe së bashku kanë vendosur bëjnë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e përgjithshme.

“Është marrë vendim që të themelohet Shtabi i Degës, i cili do të përbëhet nga përfaqësuesit e Degës dhe do të ndihmohet nga nënkryetari Haki Rugova dhe anëtarët e Kryesisë, z. Anton Quni e z. Naser Osmani, ndërsa do të kryesohet nga z. Hanefi Muharremi.”

“Kjo praktikë po aplikohet edhe në degët e tjera, me qëllim të përgatitjes sa më të mirë për zgjedhjet e përgjithshme.”

“Kryetari Mustafa i ka dhënë mbështetje të plotë drejtuesve të Degës së Prizrenit dhe ka kërkuar që të punojnë fort, për ta ndihmuar dhe forcuar fitoren e sigurt të LDK’së në Zgjedhjet e përgjithshme”, thuhet në njoftimin e LDK’së.