LDK e VV insistojnë në zgjedhje

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti mendon se këto institucione, përfshi edhe Kuvendin, duhet të shpërbëhen dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

Lajme

30/12/2018 11:21

“Ne ftojmë deputetët që forcat politike të ulen së bashku për të dakorduar krijimin e institucioneve të reja përmes zgjedhjeve të lira e demokratike. Pas dakordimit, Qeveria duhet të japë dorëheqje, kurse Kuvendi të shpërbëhet për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të reja”, ishte kërkesë e vazhdueshme e LDK-së, e shprehur përmes deputetit Avdullah Hoti.

Një qëndrim afërsisht të njëjtë me LDK-në ka edhe Lëvizja Vetëvendosje, dhe lideri i saj, Albin Kurti.

“Për shkak të mungesës së zhvillimit e progresit dhe keqqeverisjes e korrupsionit, nga skandalet e shpeshta e të shumta të kryeministrit dhe kabinetit të tij qeveritar nga nxjerrin vetëm zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Pushteti në Kosovë e ka braktisur shtetndërtimin”, ka deklaruar Kurti, duke arsyetuar kërkesën e Vetëvendosjes për zgjedhje.

Por puna në Kuvendin e Kosovës, sipas kryetarit të këtij institucioni, Kadri Veseli, i cili është edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, assesi nuk mund të cilësohet si jo e suksesshme.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës po punon, ky është lajmi pozitiv e do të ketë edhe vendimmarrje”, ishin fjalët që Veseli i ka përsëritur kohë pas kohe, ndërsa kritikohej puna e Kuvendit nga opozita apo shoqëria civile./REL