LDK e sigurt për fitore

Hykmete Bajrami mendon se LDK-ja e ka të sigurt fitoren në zgjedhjet nacionale që do të mbahen këtë vit. Avdullah Hoti nga kjo parti thotë se me qeverisjen e LDK-së, do të ndjehet dora e shtetit. E Kujtim Shala thotë se nuk është caktuar data e zgjedhjeve.

Lajme

28/03/2014 20:46

LDK do të jetë partia e parë në zgjedhjet nacionale. Kështu të paktën mendon Kujtim Shala nga kjo parti.

“LDK do të jetë partia e parë në Kosovë. Ne po punojmë që të kemi një diferencë solide që të kemi hapësirë që të zgjedhim një partner të vogël në mënyrë që të implementojmë programin tonë”.

“Ne po punojmë që të kemi rezultatet e vitit 2004, dhe diferenca të jetë shumë e madhe”.

Kjo do ti mundësojë LDK-së që për herë të parë të drejtojë Qeverinë e vendit”.

Në emisionin politik Debat të RTK-së, ishin të ftuar përfaqësuesit e kësaj partie, ku kanë shpalosur programin e tyre.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se LDK do të dal e para sepse qytetarët janë “ngopur” me qeverisjen e Kryeministrit Hashim Thaçit.

“Ne fitoren e kemi të sigurt se qytetarët janë ngopur me këtë qeverisje, janë ngopur me premtimet e Thaçit”.

“Ne do të jemi partia e parë”.

Avdullah Hoti tha se me qeverisjen e LDK-së qytetarët do e ndejnë. Ai tha se LDK do të ndryshojë politikat fiskale në mënyrë që të stimulohet sektori publik.

“Në fushën e ekonomisë po mundohemi që ne të japim indikacione të qarta se si do të ndryshojë ekonomia e Kosovës nga qershori e tutje sepse deri tani ka pasur ngufatje të sektorit privat”.

“Është zhvillimi i një sektori privat shumë dinamik dhe kjo nënkupton ndryshim të politikave fiskale për sektorin privat”.

“Në dy vitet e para, do të kalojë mbledhja e TVSH-së brenda territorit të Kosovës. Do të ketë përshkallëzim të TVSH-së”.

“Do zvogëlojmë tatimin në qarkullim për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”.

“Ne do të ndërrojmë politikën e subvencioneve për bujqësi që shkon kah rritja e produktit vendor”.

Hykmete Bajrami tha se qeverisja e LDK-së nuk do të ketë korrupsion. Ajo thotë se buxheti i Kosovës do të rritet dhe do të jetë buxhet i të gjithëve.

“Me qeverisje e LDK-së një gjë është e qartë se nga buxheti i vogël do ta rrisimin përmes luftimit të ekonomisë informale, dua të them se nga ky buxhet do të përfitojnë të gjithë sespe ju takon taksapaguesve”.

“Ne ju garantojmë se nuk do të ketë korrupsion”.

“Do të ketë ulje të papunësisë do të ketë përmirësim për këtë vend”.

Kujtim Shala tha se ka pasur një marrëveshje e cila thotë se zgjedhjet do të mbahen në pjesën e parë të vitit por se data nuk dihet.

“Ka një marrëveshje e cila thotë se zgjedhjet e përgjithshme duhet të mbahen në pjesën e parë të këtij viti. Data nuk është caktuar”, tha Kujtim Shala në emisionin Debat të RTK-së.