LDK e Prizrenit kërkon shkarkimin e kryetarit të tyre Haxhi Avdyli

Kryesia e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, po kërkon me ngulm dorëheqjen e kryetarit të tyre, Haxhi Avdyli, me arsyetimin se ai kundër vullnetit të kësaj Dege dhe anëtarësisë së saj, ka propozuar Vjosa Osmanin për kryetare të LDK-së, në Kuvendin e Tetë të LDK-së.

Lajme

06/06/2015 23:16

“Kryetari ynë përkundër vullnetit të kryesisë dhe anëtarësisë së degës, krye më vete ka propozuar zonjën Vjosa Osmani, për kryetare të LDK-së. Dhe, ai nuk po ndalet me kaq. Po del ne mediat e shkruara dhe elektronike, ku po mburret me propozimin e tij, e aq më tepër po thirret në emër të degës”, ka thënë në kushte anonimiteti, një anëtar i Kryesisë së Degës në fjalë.

Ai ka thënë për Kosova Info se janë dy mundësi: ose ai të japë dorëheqje të parevokueshme, ose ta thërrasin Kuvendin e jashtëzakonshëm ku do ta rrëzojnë.

“Ka kohë që ai s’guxon të thërrasë mbledhje të kryesisë. Së shpejti edhe nëndegët zyrtarisht do të kërkojnë dorëheqjen e tij, meqë ai po del edhe kundër vullnetit të qendrës”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Avdyli, tha se anëtarët e Kryesisë janë të lajmëruar me kohë për mbledhjen e radhës që do mbahet të dielën.

“Burimit të pakonfirmuar i cili flet në kushte anonimiteti nuk ia vlen t’i kthejmë përgjigje, sepse askush nuk ka dëgjuar për një kërkese të tillë. Kurse, për përgjigje zyrtare në formë kumtese do merrni nesër pasdite”, tha Avdyli.

Përndryshe, Isa Mustafa, i cili mori votat edhe për një mandat për të udhëhequr LDK-në, ka deklaruar se zgjedhjet e brendshme në këtë subjekt politik kanë qenë transparente.