LDK e ka seriozisht

Sipas Isa Mustafës, LDK është e vetmja parti politike në Kosovë që ka program konkret dhe zhvillimor, që trajton në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët.

Lajme

19/10/2013 17:26

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha sot në Shtime se është i bindur se LDK’ja do të arrijë të fitojë në zgjedhje e 3 nëntorit, për ta udhëhequr pushtetin lokal.

Bazuar në mbështetjen që tha se po e sheh gjatë kësaj fushate, Mustafa tha se LDK shumë shpejt do bëhet partia fituese e zgjedhjeve të përgjithshme dhe do ta qeverisë Kosovën.

“Nga mbështetja që po vërejmë këtu në Shtime dhe në tërë Kosovën, jemi të bindur se LDK’ja do të jetë partia fituese e këtyre zgjedhjeve, ndërsa vitin tjetër ne do ta marrin qeverisjen e krejt Kosovës”.

“Kandidati ynë për kryetar të Shtimes, Fatmir Zymeri dhe kandidatët për këshilltarë komunalë, kanë një program konkret që u përgjigjet nevojave të qytetarëve, që garanton qeverisje të mirë dhe zhvillim në të gjitha sektorët”.

Sipas tij, LDK është e vetmja parti politike në Kosovë që ka program konkret dhe zhvillimor, që trajton në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët dhe që u shërben me korrektësi e përgjegjësi atyre.

“E kemi marrë seriozisht angazhimin që qytetarëve tanë t’u japim qeverisjen e mirë, transparente, llogaridhënëse dhe të përgjegjshme. Që gjeneratave të reja t’u krijojmë kushte për punësim, që pensionistëve që kanë punuar shumë dhe gjatë, t’u sigurojmë pensione më të dinjitetshme”.

Kandidati për Kryetar të Komunës së Shtimes, Fatmir Zymeri, tha se ka ardhur koha që kjo komunë të qeveriset me programin zhvillimor të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Programi ynë për qeverisjen e Shtimes bazohet në përdorimin e resurseve vendore për sigurimin e zhvillimit ekonomik. Ne do të përkrahim zhvillimin e bujqësisë, duke mbështetur bizneset aktuale dhe duke nxitur investimet në këtë sektor, që do të na sigurojë hapjen e vendeve të reja të punës për banorët e Shtimes”.

Sipas Zymerit, me qeverisjen e LDK’së, shërbimet komunale në Shtime do të jenë më të efektshme, sistemi arsimor do të mbështetet si në infrastrukturë ashtu edhe në ngritjen e cilësisë ndërsa rrjeti shëndetësor do të ketë shtrirje dhe shërbime më të mira.