LDK e çon UP’në në Kuvend

LDK kërkon debat parlamentar rreth zhvillimeve të fundit në Universitetin e Prishtinës. Kërkesa tashmë ka shkuar në Kryesi të Kuvendit. Sipas LDK’së, cilësia në UP është dëmtuar nga “ndërhyrjet politike dhe të kundërligjshme”.

Lajme

24/01/2014 13:23

Grupi Parlamentar i LDK’së ka kërkuar nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës që ta fusë në rend të ditës për njërën nga seancat e ardhshme një debat për zhvillimet e fundit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Përmes këtij debati, LDK pretendon t’i bëjë vlerësimet dhe t’i japë rekomandimet e veta lidhur me të gjitha zhvillimet.

“Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se ngjarjet e fundit e kanë dëmtuar shumë imazhin e universitetit më të madh dhe më të njohur në vend”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se edhe këto ndodhi janë pasojë e ndërhyrjeve sistematike të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Qeverisë në UP”.

“Nga ndërhyrjet politike dhe të kundërligjshme është dëmtuar cilësia, janë krijuar grupe joformale interesi, të cilat nuk mund t’i sjellin asnjë të mirë UP’së”.

“LDK’ja, me qëllimin më të mirë dhe duke pasur parasysh rëndësinë që ka universiteti më i madh publik në vend, në shumë raste ka dhënë vërejtjet e veta, sugjerimet dhe ka propozuar zgjidhje, por Qeveria nuk ka treguar vullnet që të hapë rrugë për punë normale në UP”, thuhet në deklaratën e LDK’së.