LDK do ta ndalë rrënimin e Gjilanit
Lutfi Haziri shprehet i bindur se me 1 dhjetor do të largojë qeverisjen aktuale të Gjilanit. Ai thotë se qytetarët të dielen do t’i ndëshkojë ata që e kanë lënë jetim Gjilanin.
Lajme
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri, deklaroi sot se gjilanasit me votën e tyre më 1 dhjetor do ta ndëshkojë qeverisjen aktuale, e cila, sipas tij, e ka lënë qytetin jetim.
Haziri tha se qytetarët janë mobilizuar për ta larguar Qeverisjen e PDK’së dhe Qemajl Mustafës.
“Jemi unifikuar për t’i ndëshkuar ata që Gjilanin e trajtuan si jetim”.
“Jemi në javën e Flamurit Kuq e Zi dhe të Rugovës, që janë krenaria dhe simboli i gjithë shqiptarëve. E keni bërë LDK’në e Rugovës ashtu qysh ka qenë pas luftës”.
Haziri u shpreh i bindur se me mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Gjilanit, më 1 dhjetor do të largohet qeverisja e keqe nga kjo Komunë.
“Fitorja jonë është fitore që na bën më të përgjegjshëm për zbatimin e programit tonë”.
“Ne do të qeverisim në mënyrë të ndershme, të përgjegjshme dhe demokratike. Do t’i qeverisim ata që na besuan më 3 nëntor, ata që do të na besojnë më 1 dhjetor dhe të gjithë qytetarët, të cilëve u garantojmë trajtim të barabartë nga pushteti i ardhshëm lokal”.
Ai tha se më 1 dhjetor, gjilanasit do të reagojnë me vota për t’ua rikthyer kujdesin e vazhdueshëm për të gjitha kategoritë e shoqërisë.
“Rikthimi i LDK’së në Gjilan, Anamoravë dhe në tërë Kosovën, është sinjal i mirë për qeverisjen demokratike të Kosovës” .
Haziri premtoi se me votën e tyre më 1 dhjetor, qytetarët e Gjilanit do ta ndalin rrënimin, diskrimimin dhe do ta shndërrojnë Gjilanin në një Komunë që do ta ketë kujdesin e pushtetit lokal dhe atij qendror së shpejti.
“LDK garanton kujdesin ndaj Gjilanit dhe Anamoravës gjatë qeverisjes që do ta udhëheqë LDK, me Kryeministër Isa Mustafën. Prandaj, Gjilani do ta mbështesë LDK edhe në zgjedhjet e ardhshme, edhe më fuqishëm se në zgjedhjet lokale”.
Lutfi Haziri u shpreh se Kryeministri Thaçi nuk po ua sheh hajrin votave të minoriteteve, pasi i gjithë Gjilani është rreshtuar përkrah LDK’së.
“I pari i Qeverisë ka filluar me lypë vota te minoritetet, por nuk i bëjnë hajr, sepse shumica e Gjlanit, Karadak e Gollak i janë bashkuar LDK’së”.
Nënkryetari i LDK’së, Sabri Hamiti, u tha gjilanasve se me votën e tyre më 3 nëntor, në mënyrë të qartë kanë vendosur që ndjekësi besnik i filozofisë politike të Ibrahim Rugovës, Lutfi Haziri, ta drejtojë Komunën e Gjilanit në mandatin e ardhshëm qeverisës.
“Me vendimin për ta caktuar Lutfi Hazirin kandidat për Kryetar, LDK e Gjilanit ka marrë vendimin për ta realizuar kthesën e fuqishme. Sot po shihet se zgjidhja ka qenë e qëlluar. LDK i jep mbështetjen e plotë atij për ta qeverisur Gjilanin”.
Ai kërkoi nga gjilanasit të dalin në votime më 1 dhjetor dhe ta mbështesin Lufti Hazirin edhe më fuqishëm se më 3 nëntor.