LDK “bllokon” Projektligjin për Veteranët e UÇK-së

Me 62 vota për, 31 kundër dhe dy abstenime, Ligji për Veteranët e Luftës nuk ka kaluar si rend dite në seancën parlamentare. LDK ka kërkuar që në këtë ligj të përfshihen edhe ushtarë tjerë që luftuan me po të njëjtën emblemë të UÇK-së.

Lajme

27/03/2014 13:04

62 votat pro futjes së ligjit të Veteranëve të Luftës në Kuvendin e Kosovës nuk mundën ta kalonin në rend e dite atë. Për të kaluar dashur 2/3 e votave të deputetëve.

Grupi Parlamentar i LDK-së kishte hartuar amendamente të veçanta sipas të cilave me këtë projektligj do të duhej përfshirë edhe ish ushtarët e ish Ministrisë së Mbrojtjes, dhe për të mos krijuar keqkuptime ishte tërhequr nga emërtimi FARK.

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se të drejtat dhe kontributin e veteranëve të UÇK-së nuk mund t’i mohojë askush, ndërsa tha se benificione do të kenë edhe familjarët e tyre.

“Për mua çlirimtar janë të gjithë qytetarët e Kosovës. Askush askujt nuk mund t’ia mohoj kontributin, nëse ka bartur uniformën e UÇK-së”, ka thënë kryeministri.

“Vazhdoj të këmbëngul fuqishëm se duhet të respektohet kontributi i çdo luftëtari të UÇK-së dhe çdo periudhe kohore. Nuk do të lejojë që si propozues i këtij ligji të mohohet diçka e tillë, prandaj ritheksoj, se ky ligj është për shoqatat e veteranëve të luftës me iniciativën time”.

Në anën tjetër, Ismet Beqiri nga LDK, ka kërkuar nga kryeministri  që të pranohen edhe amendamentet të cilat përfshinë edhe pjesëtar tjerë, por që edhe ata kanë luftuar me emblemë të UÇK-së.

“Kërkoj nga kryeministri  punë në përmbushjen e obligimit ndaj gjithë atyre që kanë luftuar, dhe amendamentet tona e bëjnë këtë. As nuk e rritë kryeministri fondin siç thoni ju”.

“Ne po pyesim qartë kënd e pengon që të figurojnë amendamentet tona që i përkrahin gjithë ata që kanë luftuar nën emblemën e UÇK-së, por që disa kanë qenë nën Ministrinë e Mbrojtjes, të tjerët kanë qenë nën drejtimin e Shtabit të Përgjithshëm”.

Por Lëvizja Vetëvendosje ishte tërësisht kundër përshpejtimit të procedurës dhe kritikoi qasjen e LDK-së, të cilën e cilësoi si pozicionim pro shmangies së procedurave të rregullores së Kuvendit me imponim të amendamenteve përkatëse.

Deputet i VV-së, Faton Topalli, tha se me qëllim të bërjes së ligjit sa më të mirë pa u nxituar, një javë pritje nuk i dëmton as veteranët as punën e Kuvendit.