LDK beson se do të festojë

Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se do të respektojë vullnetin e sovranit. Kjo parti pret që pas numërimit të rezultateve, sonte të festojë fitoren e saj.

Lajme

01/12/2013 18:50

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se në përgjithësi procesi i sotëm zgjedhor ka qenë i rregullt.

Vjosa Osmani nga Shtabi Zgjedhor i LDK’së deklaroi në një konferencë shtypi pas mbylljes së vendvotimeve se nuk janë evidentuar probleme të mëdha që do të mund ta kompromentonin procesin zgjedhor.

“Megjithatë, sipas përfaqësuesve tanë në terren, të cilët kanë monitoruar më vëmendje të madhe procesin zgjedhor, disa parregullsi janë vënë re në komuna si Prizreni, Vitia, Lipjani dhe Peja”.

“Përfaqësuesit e LDK’së kanë njoftuar organet e rendit lidhur me këto parregullsi dhe presim që ato të hetohen në mënyrë që të zbardhet secili rast”.

“Sot, qytetarët e Kosovës kanë ushtruar të drejtën e tyre demokratike dhe kushtetuese për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitim në komunat e Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës i falenderon të gjithë votuesit për pjesëmarrjen e tyre dhe për kulturën demokratike të treguar në këtë proces zgjedhor”.

“Tani, në këto moment kemi hyrë në fazën e numërimit të votave, fazë kjo tepër e rëndësishme, e cila e vulos edhe rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Ne ju bëjmë thirrje të gjithë komisonerëve dhe vëzhguesve që të kryejnë me përgjegjësi dhe ndershmëri maksimale procesin e numërimit të votave”.

“Ne po ashtu presim nga organet e rendit që të vazhdojnë të kryejnë punën e tyre me korrektësi”.

Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se do të respektojë vullnetin e sovranit.

“LDK pret që pas numërimit të rezultateve, sonte të festojë fitoren e saj së bashku me qytetarët e Kosovës”.